Matoshi: Vjosa do ta ketë vështirë përballë Isës

Analisti dhe publicisti Halil Matoshi mendon se Vjosa Osmani, e cila është deklaruar e gatshme ta sfidojë Isa Mustafën për postin e Kryetarit të LDK-së, në zgjedhjet që do të mbahen në fund të majit, do ta ketë vështirë të dalë fituese.
Në një prononcim për Politiko.net, ai shpreh dyshimet e tij që ky elektorat mund ta bëjë diferencën ndërmjet liderëve të së shkuarës dhe liderëve për një Kosovë Europiane.
“Po, Zonja Osmani e ka të vështirë, sepse shumica e elektoratit naiv kosovar votojnë jo për partinë ose ideologjinë dhe reformat modernizuese, por për një ‘hyqymet’, pra për pushtetin, që e konsiderojnë se është i tyre, e që në fakt nuk është, sepse ky pushtet është kamikazllëk i disa krerëve të LDK’së për ta shpëtuar nga vdekja e sigurt politike PDK-në e Hashim Thaçin, SHIK-un dhe eksponentët e terrorizmit në Kosovë”.
“Duket se elektorati jo inteligjent, por fundësisht mendje i korruptuar i LDK-së, që jeton dhe frymon me idetë e shekullit 19, duke qenë i konvertueshëm lehtë, ka shkelur mbi idetë liberal-demokratike të themeluesit të saj Ibrahim Rugova dhe e ka marrë mbi supe barrën e rehabilitimit të SHIK-ut dhe vrasësve tjerë serikë në Kosovë”, thotë Matoshi për Politiko.net.
“Pra, ky elektorat politikisht primitiv dhe lehtë i konvertueshëm, dyshoj se mund ta bëjë diferencën ndërmjet liderëve të së shkuarës dhe liderëve për një Kosovë Europiane si Vjosa Osmani, e cila, ndonëse është pa konkurrencë më e afta, nuk i ka në krah strukturat mendësisht të kastruara të LDK-së”, thotë Matoshi.
Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila ka votuar kundër Qeverisë së Koalicionit PDK-LDK dhe rrjedhimisht edhe kundër Isa Mustafës Kryeministër, bashkë me tre-katër deputetë të tjerë, konsiderohen si të “rebeluarit” e GP të LDK-së.
Por, sa mund ta ketë ajo mbështetjen e strukturave partiake nga terreni, të cilat me votën e tyre zgjedhin liderin e partisë?
Halil Matoshi vlerëson se ato nuk janë ende gati për “ndryshim”.
“Strukturat e kësaj partie ende nuk janë të përgatitura për ta vënë në ballë të LDK-së një lidere të shekullit 21. Porse, Vjosa Osmani, edhe nëse nuk e fiton këtë garë, mbetet një grua e guximshme, një lidere”.
Duke folur për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Matoshi mendon se kjo parti duhet të angazhohet për një reformë të thellë të brendshme dhe në rrafshin e shtetndërtimit.
“LDK, së pari, duhet të shndërrohet në parti normale politike, konkurruese me të tjerët dhe ta heqë përfundimisht aurën e lëvizjes kombëtare, si dhe të pushojë së shituri në publik kinse flijimin e saj për hir të Kosovës!?”
“Po ashtu, LDK duhet të angazhohet për reformë politike brenda vetes dhe në rrafshin e shtetndërtimit, për kosovacentrizëm (besnikëri e lojalitet ndaj Republikës së Kosovës) moderinizim, emancipim dhe perëndimorizim të shoqërisë kosovare dhe jo për idetë e Rilindjes së shekullit 19 dhe për turbopatriotizëm (porn-folk) të shekullit 20 që e fashistizoi Serbinë”. /politiko.net/