Marihuana si ilaç: pro dhe kundër?

Marihuana është më pak e rrezikshme se alkooli, e redukton dhimbjen, e trajton glaukomën, e përmirëson funksionin e mushkërive, zbut depresionin dhe sulmet epileptike, dhe e parandalon përhapjen e kancerit të gjirit – citojnë shkencëtarët.
Mundësia e mbidozës me marihuanë praktikisht nuk ekziston, ndërsa “British Psychiatric Journal” publikoi dikur që nuk është regjistruar asnjë vdekje e cila do të ishte pasojë e drejtpërdrejtë e përdorimit akut të marihuanës.

Studime të shumta kanë treguar se marihuana e largon dhimbjen e shkaktuar nga sëmundje të ndryshme si proceset inflamatore në artritin reumatoid.

“Canadian Medical Journal” thekson se marihuana i zbut simptomat e sklerozës së shumëfishtë, duke përfshirë spazmën e dhimbshme të muskujve, përcjell Koha Ditore.

Hulumtimi i ri izraelit tregoi se marihuana në mënyrë të konsiderueshme e zvogëlon dhimbjen dhe dridhjen e shkaktuar nga sëmundja e Parkinsonit dhe e përmirëson funksionin motorik të pacientëve. Është pozitiv dhe efekti i saj në sëmundjen Alzheimer.

Studimi i kryer në Universitetin e Madridit ka konstatuar se kimikatet e kanabisit e stimulojnë vdekjen e qelizave të tumoreve të trurit në një proces të quajtur autofagi (vetëshkatërrim), me ç’rast tumori zvogëlohet.

Marihuana lidhet edhe me peshën e reduktuar fizike, edhe pse dihet se e rrit oreksin.

“American Medical Journal” e publikoi një studim në vitin 2014, të kryer në 4.500 njerëz, i cili tregoi se përdoruesit e marihuanës e kanë një reagim më të mirë të metabolizmit ndaj konsumimit të sheqerit.

Ata që e kritikojnë synimin e një numri në rritje të vendeve për ta legalizuar përdorimin e marihuanës, qoftë për qëllime mjekësore apo komerciale, theksojnë se ajo e rrit rrezikun e sulmit në zemër.

Pak minuta pas konsumimit të marihuanës numri i rrahjeve të zemrës mund të rritet për 20 deri 50 rrahje për minutë. Në kombinim me disa droga apo ilaçe të tjera kjo rritje mund të jetë edhe më e madhe.

Për shkak të uljes së shtypjes së gjakut dhe përshpejtimit të punës së zemrës, rreziku nga sulmi në zemër në orët e para pas konsumit mund të rritet për katër herë.

Gjithashtu, paralajmërojnë kundërshtarët, konsumimi i marihuanës mund të shkaktojë kancer të mushkërive.

Marihuana përmban 50 për qind më shumë komponentë kancerogjene se duhani. Disa hulumtime tregojnë se rreziku që përdoruesit e rregullt të marihuanës vuajnë nga kanceri i qafës, kokës dhe mushkërive është më i lartë se tek ata që nuk e përdorin.

Pirja e shpeshtë e marihuanës është e lidhur me ndryshimet në hipokampus të trurit, si dhe dobësimin afatgjatë të kujtesës.

Kritikët e legalizimit paralajmërojnë se marihuana e dobëson sistemin imunitar, dhe se i “pengon” aktivitetet e qelizave të sistemit imunitar.