Maliqi: Përveç titullit, gjithçka tjetër është dështim

Feronikeli është i vendosur të luftojë për titullin e tretë radhazi deri në fund të kampionatit. Behar Maliqi ka thënë se gjithçka tjetër është dështim, përveç titullit për “Nikelin”.

KF Feronikeli vazhdon të jetë në garë për titull të kampionit, por jo edhe në garën e Kupës, nga e cila është eliminuar më herët nga Llapi. Mesfushori Behar Maliqi ka thënë për “Epokën e re” se nëse dështojnë për titull, atëherë ky do të jetë një sezon i dështuar për skuadrën nga Drenasi.
“Siç dihet, ne jemi eliminuar nga Kupa, kurse çdo pozitë tjetër e dytë apo e tretë është një dështim për Feronikelin. Sezoni ynë shpëton vetëm nëse shpallemi kampionë”, ka thënë Maliqi, i cili është rikthyer nga lëndimi së bashku me Mentor Zhdrellën dhe Blerand Kurtishajn.
Mirëpo, për të arritur deri te titulli kampion, Feronikelit i duhet ta shkrijë epërsinë prej shtatë pikëve ndaj Trepçës ’89. Ndërsa për të arritur një gjë të tillë, mesfushori i dalluar është mjaft optimist dhe bën me dije se derisa ekzistojnë gjasat matematikore, Feronikeli do të luftojë. “Diferenca prej shtatë pikësh nuk është madhe, pasi janë edhe disa ndeshje dhe tash e tutje ndeshjet janë të forta sepse përballen skuadrat e para ndërmjet vete. Derisa ekzistojnë gjasat matematikore ne nuk do të dorëzohemi dhe do të mundohemi që në fund të shpallemi kampionë”, ka shtuar ai.
Skuadra e drejtuar nga strategu Afrim Tovërlani ndeshjen e radhës e luan në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë ndaj Trepçës. Ish-mesfushori i Prishtinës dhe KEK-ut paralajmëron se “Nikeli” do ta marrë maksimumin nga kjo ndeshje. “Ndeshjen e radhës nuk do ta kemi të lehtë, sepse neve dhe Trepçës na duhen pikët. Jemi optimistë se do ta mposhtim këtë klub dhe ta vazhdojmë garën për titull, pasi më nuk guxojmë të bëjmë gabime nëse mendojmë ta fitojmë titullin e tretë radhazi”, ka deklaruar ai. Feronikeli zë vendin e dytë aktualisht në Vala Superligën e Kosovës me 52 pikë, kurse ka regjistruar gjashtëmbëdhjetë fitore, katër barazime dhe pesë humbje.

 

 
Loading...