Magjistari i ri nga Mitrovica që po çuditë bashkvendasit (Video)

18 vjeçari Agon Gashi nga Mitrovica nuk luan futboll e as ndonjë sport tjetër, hobi i tij është magjia.
Agoni filloi aktivitetin prej iluzionisti jo më shumë se një vit më parë dhe nga pasioni i madh që kishte për këtë lëmi, ai tani ka përvetësuar disa truqe të ndryshme duke u bërë kështu një emër i njohur në qytetin e Minatorëve para të cilëve sa herë që ka rast i shfaq aftësitë e veta. Demonstrimet që Agoni i bën me letra bixhozi janë të mahnitshme.
I riu nga Mitrovica thotë se një kohë të konsiderueshme të ditës ia kushton këtij pasioni. Kjo formë e shfaqjes së talentit të tij duket t’i paraprijë një karriere të ardhshme, me performanca të organizuara në ndonjë nga skenat tona – kjo është dëshira e tij për të ardhmen.
Përveç pikave me letra, magjistari i ri nga Mitrovica është duke ushtruar edhe numra të tjerë. Sikur ky demonstrim i nxjerrjes së perit përmes gojës tek syri apo ndërrimi i maicës pa u vërejtur fare.
Letrat që ky i ri i përdor thotë të jenë të zakonshme nga ato që shiten nëpër kioske, por fshehtësia e truqeve të tij qëndron tek praktika dhe ushtrimet e shumta që duhen për t’i arritur këto rezultate.