Lushtaku nuk e ndjen veten fajtor

Pas tri dështimeve më në fund është mbajtur seanca e shqyrtimin fillestar në rastin e Sami Lushtakut, i cili akuzohet për arratisje nga QKUK në kohën sa ishte në paraburgim në rastin Drenica.

Në këtë seancë, kryetari aktual i Skenderajt, Sami Lushtaku aktakuzën e ngritur kundër tij e konsideroi si përndjekje familjare.

Lushtaku tha se nuk e ndjen veten fajtor dhe nuk i beson këtij prokurori.

Në këtë rast të akuzuar janë Lushtaku, djali i tij Mërgimi (aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës) dhe 22 zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi që aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë ka edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Aktakuza për arratisjen nga QKUK-ja u ngrit vitin e kaluar.

Në korrik të këtij viti, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg.