Llausha kultivon dredhëza të kualitetit të lartë (foto)

 

Sikurse vitin e kaluar, edhe këtë vit fermerë nga Llausha e Skenderajt dhe e gjithë Kosova po marrin pjesë në “Panairin Dredhëzës”, i cili përfundon sot.

Fermeri i ri nga Llausha, Ismet Balaj, ka bërë me dije se krahasuar me vitin e kaluar, ky panair ka qenë i zbehtë, për shkak se, siç ka thanë ai, të shitësve ambulant të cilët e kanë vërshuar sheshet kryesore të Prishtinës. “Nuk jam aspak i kënaqur me shitjen e dredhëzës në këtë panair. Arsyeja është se, përpos kultivueseve të dredhëzës, të cilët kanë shitur në panair, ka pasur plotë shitës të tjerë jashtë panairit, të cilët na e kanë vështirësuar punën, bile duke e ulur çmimin nën vlerën e merituar. Ne kërkuam nga organet e Komunës së Prishtinës që t’i largojnë nga sheshi shitësit e dredhëzës, të cilët nuk janë pjesë e panairit, së paku gjatë këtyre katër ditëve sa ka zgjatur ky eveniment, mirëpo nuk hasem në mirëkuptim nga ana e Komunës”, është shprehur Balaj për “Epokën e re”.

Ai ka thënë se viteve të kaluara “Panairi i Dredhëzës” ishte më mirë i organizuar. “Viteve të kaluara organizimi ishte në nivel, mirëpo jo edhe kësaj here. Shpresoj se vitin e ardhshëm do të organizohet më mirë ‘Panairi i Dredhëzës’”, ka thënë Balaj.

Pavarësisht kësaj, Balaj ka thënë se dredhëza e prezantuar në këtë panair është e një cilësie të lartë. “Të gjithë qytetarët që e konsumojnë dredhëzën, e cila  kultivohet nga ne, ndahen shumë të kënaqur, duke ditur se dredhëza është bio dhe e freskët”, është shprehur Balaj.

Me tutje Balaj ka folur edhe për kultivimin e dredhëzës. Sipas tij, kultivimi i dredhëzës kërkon përkushtim. “Çdo punë kërkon angazhim dhe përkushtim, përndryshe mbetet e mangët. Kultivimi i dredhëzës nuk është i lehtë. Nëse e llogarisim, përgatitjen e leheve për mbjellje, mbjelljen, trajtimin me pesticide, që kërkon njohuri të sakta, përndryshe dëmtohet bima. Më pas janë vjelja, transporti deri në pikë të shitjes. Vlerësoj se është një punë e lodhshme dhe sakrificë e madhe”, ka deklaruar Balaj.

Balaj ka deklaruar se ka leverdi nga kultivimi i dredhëzës. “Është aq e leverdishme saqë Llausha është duke u shndërruar në një vend, të cilin e aromatizon dredhëza. Çdo vit shtohen fermerë të rinj në këtë fushë. Kjo tregon se sa ka leverdi nga kultivimi i dredhëzës”, është shprehur Balaj, duke u bërë thirrje konsumatorëve që të konsumojnë vetëm produkte vendore. “Shpeshherë konsumatorët hezitojnë t’i konsumojnë prodhimet vendore, duke u arsyetuar në forma të ndryshme. Dikujt i duket shtrenjtë e dikush u jep përparësi produkteve të jashtme, gjoja se janë më të mira. Ne duke e mbajtur këtë çmim dhe konsumatorët duke e mbajtur qëndrimin e tyre, nganjëherë mbesim pa i shitur produktet tona e ata pa e shijuar produktin vendor”, ka deklaruar Balaj.

“Panairi i Dredhëzës” është organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) në bashkëpunim me USAID-in. /Epoka e re/Drenicapress/