Lladrovci: Ndaj Hajvalisë një udhë e dy punë: fitore dhe kampion

 

Nesër në Prizren do të zhvillohet derbi i xhiros së 31, ku do të përballen Ferronikeli dhe Hajvalia. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për Ferronikelin, ngase pikët në këtë takim do ta shpallin kampion skuadren nga Drenasi, që duhet të shpresoj edhe në hapin fals të Besës.

Në një prononcim për DrenicaPress, kapiteni i Ferronikelit, Lapidar Lladrovci, ka thënë se kjo është ndeshja kryesore e kampionatit dhe fitorja për skuadren e tij do të thotë shumë ngase mund të shpallen kampion të Kosovës.

“Ndeshja e nesërme padyshim që është ndeshja kryesore e tërë kampionatit, pasi me fitore eventuale ose barazim, nëse nuk fiton Besa, shpallemi edhe zyrtarisht kampion. Prandaj jemi super të motivuar dhe do të japim gjithçka që nesër ta përfundojmë kampionatin në vend të parë”, ka thënë Lladrovci.

Kapiteni e vlerëson mjaft lartë skuadren e Hjavalisë, por nuk ia ka frikën ngase nesër do të kenë përballë Ferronikelin e uritur për fitore dhe trofe.

“Kemi respekt të madh për Hajvalinë sepse ka një skuadër të mirë dhe luan futboll të bukur por nesër do të përballen me një ekip tejet të uritur për trofe dhe që ka arsyen më të madhe në futboll të luftojë dhe të fitojë titullin e kampionit”, ka shtuar Lladrovci.

Derbi Ferronikeli-Hajvalia zhvillohet nesër pres orës 16:00 në stadiumin  qytetit në Prizren/DrenicaPress/