Lladrovci fotografohet me ‘jahtin e Shpendit’, e thumbon edhe për Coca Cola Zero

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ka thumbuar kolegun e tij, kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, lidhur me aferën më të diskutuar në opinion të mandatit të parë të kryetarit të kryeqytetit.

LLadrovci, që me gjasë ndodhet në Budva të Malit të Zi, me punë bashkë me një pjesë të stafit të tij, ka bërë foto pranë jahtit ‘Megalodon’, jaht i kompanisë ‘Devolli’, ku kryetari Ahmeti vitin ishte kapur në shoqëri të biznesmenit Blerim Devolli.

Duke e lidhur me këtë, kryetari Lladrovci, ka thumbuar kolegun e tij Ahmeti, por pa i përmendur emrin.

“Jahti Megalodon, është normal si krejt jahtet normale, e kam pi normal një cola zero, për shnet të atyre që normal gënjejnë “herë e kam pa e herë nuk e kam pa”. Jahti ishte i ndërtuar për fotografi, nuk munda të rezistoj. Gëzuar me cola zero!”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Gazeta Metro kishte arritur të sigurojë fotografi të momentit kur kryetari Ahmeti po qëndronte në këtë jaht. Ai fillimisht e kishte mohuar, për ta pranuar tek pas një jave, dhe kishte thënë se aty kishte pirë vetëm një coca cola zero.

Gjithashtu, duhet theksuar se ky jaht ishte bërë shkak që Albin Kurti, disa ditë më vonë të mbaj në Kuvend një fjalim të ashpër ku kishte goditur kompaninë dhe vëllezërit Devolli, me të cilët po shoqërohej bashkëpartiaku i tij, Shpend Ahmeti.

Ndërsa tani, kur në Vetëvendosje, kanë shpërthyer përçarjet, kompania Devolli dhe Klan Kosova, ku kjo kompani është pronare, po llogariten si problemet e para që kanë acaruar raportet në mes të Albin Kurtit dhe Dardan Molliqajt.

 

Lexo tjetër  Ja sa banorë të Skenderajt ju bashkuan luftërave në Siri e Irak