Lirohet me kusht trashëgimtari i Samsungut

Gjykata e apelit në Korenë e Jugut ka dënuar me burgim me kusht prej dy vite e gjysmë trashëgimtarin e kompanisë elektronike Samsung, Lee Jae-yong, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, Lee-yong, i cili në gusht të vitit 2017 ishte dënuar me pesë vite burgim për ryshfet, kishte ankimuar vendimin në gjykatën e apelit, e cila sot i shqiptoi dënim me kusht prej dy vite e gjysmë.

Aktvendimi për Lee-yong është pritur me habi në opinionin publik, ndërkohë që prokurorët kishin kërkuar 12 vite burgim për të. Ai u lirua pasi qëndroi në paraburgim për rreth një vit.

Aktualisht zëvendëskryetar i bordit drejtues të Samsungut, Lee-yong ishte dënuar pas gjykimit në kuadër të skandalit për ryshfet, i cili shkaktoi shkarkimin e ish-presidentes së Koresë së Jugut, Park Geun-hye.

Lee ishte akuzuar për dhënie ryshfet fondacioneve të udhëhequra nga mikesha e afërt e ish-presidentes Park, Choi Soon-sil.

Pasi i ati i tij, kryetari i bordit drejtues, Lee Kun-hee, në vitin 2014 pësoi sulm kardiak dhe u hospitalizua, i biri i tij i vetëm dhe nënkryetari Lee Jae-yong de fakto mori kontrollin e kompanisë Samsung.

Lexo tjetër  Whatsapp ofron shërbime shtesë për përdoruesit