Liberalizimi i vizave, edhe Kosova në agjendën e BE-së

Kosova pret që shumë shpejtë të marr rekomandimet për heqjen e vizave pasi sipas zyrtarëve qeveritarë, janë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga BE.
Zyrtarë të Ministrisë së Integrimeve Europiane thonë se edhe pse udhërrëfyesi për Kosovën ka qenë i paprecedent, janë plotësuar të gjitha kriteret.

Ditë më parë në media është raportuar se Bashkimi Europian nuk e ka në agjendë Kosovën sa i përket liberalizmit të vizave, pasi në fokus kanë Ukrainën dhe Turqinë, shtete këto të cilave pritet tu hiqen vizat së shpejti.

Por, këshilltari i lartë i ministrit Bekim Çollaku, Fisnik Rexhepi ka thënë për lajmi.net se BE ka edhe Kosovën në agjendë sa i përket liberalizimit të vizave.

“Ne kemi përmbushur kriteret që janë kërkuar nga institucionet e BE-së përmes një udhërrëfyesi rigoroz të paprecedent. Institucionet e BE-së janë duke e shqyrtuar edhe rastin e Kosovës në mesin e vendeve tjera. Presim që të kemi lajme shumë shpejtë edhe për Kosovën, dhe besojmë që ky proces edhe ashtu i stërzgjatur të përmbyllet shpejtë“, ka thënë Rexhepi .

Edhe pse Komisioneri i Bashkimit Evropian për Migrim, Dimitris Avramopoulos, kishte paralajmëruar një vizitë në fillim të këtij viti në Kosovë, për të konfirmuar mbylljen e procesit të liberalizimit të vizave, ai nuk e ka në planë që të vizitojë Kosovën.

Mosplanifikimi i tij për të ardhur në Kosovë, është parë si një sinjal jo i mirë sa i përket liberalizimit të vizave.

Por, sipas Rexhepit vizita ose jo e Avramopoulos nuk duhet të shihet si pengesë në procesin e liberalizmit të vizave.

Fisnik Rexhepi

“Z.Avramopulos ishte zotuar publikisht se do ta vizitonte  Kosovën për të konfirmuar përmbylljen e procesit por  mosrealizimi i kësaj vizite deri më tani, nuk duhet të konsiderohet pengesë apo si një hap i radhës në proces. Komisioni Evropian përmes misionit vlerësues e ka monitoruar dhe konfirmuar se të gjitha kushtet janë përmbushur dhe tani presim që pa asnjë vonesë dhe hezitim, Komisioni Evropian t’i paraqes Parlamentit dhe Këshillit të BE-së nismën ligjore për ndryshimin e Rregullores 539/2001 që e vendos Kosovën në listën e bardhë të Schengenit”, ka thënë Rexhepi për lajmi.net.

Edhe njohësi i proceseve të Integrimeve evropiane, Emrush Ujkani ka thënë se vizita ose jo e Komisionarit të Bashkimit Evropian për Migrim, nuk duhet të shikohet si shenjë për ngadalësimin ose përshpejtimin e procesit të liberalizmit të vizave.

ujkani-t-euml-pritshme-reagimet-ndaj-kadri-veselit_hd

Ujakni për lajmi.net ka thënë se ky proces varet nëse janë plotësuar kushtet e kërkuara nga BE.

“Ardhja ose mos ardhja e Avrampolus nuk duhet të shikohet si diçka që do ta ngadalësojë procesin  ose do ta përshpejtojë procesin e liberalizimit të vizave”.

“Ky proces varet sa Kosova ka plotësuar kriteret dhe agjenda e Avrampolus nuk është e rëndësishme, por është plotësimi i kritereve nga ana e institucioneve tona që sipas tyre janë plotësuar”.

“Nëse ato janë plotësuar, gjë  për të cilën konsideroj se është punuar në atë drejtim, për plotësimin e këtyre kritereve, atëherë mendojë që do të jetë objektivisht e arritshme që qytetarët e vendit të kenë mundësi të lëvizin lirshëm brenda zonës Schengen”, ka thënë Ujkani.

Ndryshe Komisioni Europian në dhjetorë të vitit të kaluar kishte publikuar raportin për Kosovën lidhur me liberalizimin e vizave, ku kishte vlerësuar që Kosova duhet të plotësojë edhe 8 kritere të mbetura. Zyrtarë qeveritarë në Kosovë kanë thënë se tashmë këto kushte janë plotësuar dhe se Kosova meriton që ta marr rekomandimin për heqjen e vizave. /lajmi.net.