Lenjani: “Rezikova karrierën për Kombëtaren”

 

Në një intervistë për mediat, djaloshi nga Karaçeva e Kamenicës tregon se si rrezikoi karrierën e tij për ta ndihmuar Kombëtaren që t’i marrë tri pikë të mëdha ndaj Armenisë.
“Vërtetë ka qenë një ndeshje që nuk do të harrohet kurrë. Ishte ndeshja më e rëndësishme e Shqipërisë prej se jam këtu. Ishte ndeshje që ta ndalë frymën. Kur lojtari i Armenisë bëri ndërhyrjen që u ndëshkua me të kuq, unë kam pësuar një lëndim shumë të keq”, u shpreh Lenjani.
“Rrezikova që vazhdova lojën por nuk doja t’i lë në baltë shokët, isha i vendosur që të fitonim atë ndeshje dhe t’i bënim të gjithë shqiptarët e lumtur. Rrezikova karrierën për atë fitore, por besoni që ia ka vlejtur pasi ishte fitore e madhe. Dua t’i falënderoj të gjithë tifozët që ishin të mrekullueshëm dhe pa ata nuk do t’ia dilnim”, tha Lenjani.
25-vjeçari flet shkurtimisht edhe për minutazhën që ia dha De Biasi në Kombëtare.
“Se sa minuta luaj unë, këtë e vendos por trajneri. Unë jam në gjendje të luaj 120 minuta por edhe 45 minuta apo edhe një minutë të vetëm. Kur është në pyetje Kombëtarja, nëse më kërkohet një minutë ndihma ime unë do ta jap 200% nga vetvetja për të sjellë më të mirën”, tha Ermiri, i cili tha se Shqipëria synon kualifikimin për në ‘Euro 2016’, direkt dhe jo përmes vendit të tretë.
“Synimi ynë është të mos mposhtemi deri në fund dhe të shkojmë direkt në evropian, por nëse një gjë e tillë nuk ndodh atëherë do të luftojmë edhe në play off për ta bërë ëndrrën realitet”, deklaroi Lenjani
Lenjani është ndër pikat kyçe të Shqipërisë në këto eliminatore, ku dha assist për Shkëlzen Gashin, ai ka shënuar gol ndaj Danimarkës si dhe ka pasur paraqitje mbresëlënëse ndaj Portugalisë e Serbisë. Ndërsa lëndimi në ndeshjen ndaj Armenisë do ta mbajë jashtë fushave për rreth dy javë.