Lajmi i fundit për shpëtimin e Kompleksit të familjes Jashari (Dokument)

Analisti Jusuf Thaçi pati nisur një peticion online, përmes të cilit kërkonte veprime urgjente të Qeverisë së Kosovës për shpëtimin dhe ruajtjen e Kompleksit të Familjes Jashari.

Ndërkohë tani Thaçi ka bërë të ditur se ka dorëzuar kërkesën në tri institucione të vendit.

Thaçi shpreson që këto institucione do ta trajtojnë seriozisht këtë kërkesë qytetare dhe do të ndërmarrin urgjentisht të gjitha masat për shpëtimin dhe ruajtjen e Kompleksit të Familjes Jashari.

Postimi i plotë:

Ta shpëtojmë Kompleksin e Familjes Jashari!

Në kuadër të nismës për shpëtimin dhe ruajtjen e Kompleksit të Familjes Jashari, pasi janë arritur mbi 3 mijë nënshkrime të qytetarëve që e kanë nënshkruar peticionin online drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës për “Për shpëtimin dhe ruajtjen e Kompleksit të Familjes Jashari”, si qytetar i Kosovës dhe në emër të të gjithë qytetarëve që e ndajnë këtë shqetësim, sot i kam drejtuar kërkesë, përmes postës dhe përmes e-mailit (përmbajtjet dhe dëshmitë janë të bashkëngjitura në këtë postim) tri institucioneve që kanë përgjegjësi dhe kompetenca për ta adresuar dhe për ta zgjidhur këtë problem:

  1. Qeverisë së Republikës së Kosovës,
  2. Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës, dhe
  3. Komisionin Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Shpresoj që këto institucione do ta trajtojnë seriozisht këtë kërkesë qytetare dhe do të ndërmarrin urgjentisht të gjitha masat për shpëtimin dhe ruajtjen e Kompleksit të Familjes Jashari.

Nëse këto institucione nuk ndërmarrin masa, atëherë unë personalisht (por besoj edhe shumë qytetarë të tjerë) do të mbetem aktiv derisa të arrihet një zgjidhje afatgjate për Kompleksin e Familjes Jashari.

Me këtë rast i falënderoj të gjithë qytetarët që e kanë nënshkruar peticionin dhe i falënderoj të gjitha mediat që e kanë aktualizuar dhe po e mbajnë aktuale këtë temë. Në të njëjtën kohë i lus të gjithë qytetarët dhe të gjitha mediat që të vazhdojnë ta mbajnë në vëmendje të publikut këtë çështje deri në ndërmarrjen e masave nga institucionet përgjegjëse.

Lexo tjetër  Avokati i Popullit heton KEDS-in (Dokument)

#TaRuajmëHistorinë

#TaShpëtojmëKompleksinEFamiljesJashari