Ky është institucioni më i besuar nga kosovarët

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), për të tretin vit me radhë, ka publikuar Barometrin e Ballkanit, një hulumtim vjetor i opinionit të publikut dhe bizneseve në shtetet e Ballkanit: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni dhe Serbi. Në këtë edicion janë përfshirë 8000 qytetarë dhe 1600 kompani.

Barometri i Ballkanit 2017 ofron të dhënat e mbledhura dhe të analizuara në një sërë fushash tematike dhe paraqet përcepcionin aktual për aspiratat dhe pritjet e popullsisë dhe komunitetit biznesor të Evropës Jug-Lindore për jetën, tregun e punës, trendet socio-ekonomike dhe politike si dhe integrimin evropian.

Ndër indikatorët e matur, Barometri i Ballkanit 2017 sjellë edhe vlerësimin e besueshmërisë në institucionet publike dhe përcepcionin përkitazi me pavarësinë e tyre.

Në pyetjen e parashtruar se  sa  shumë u besoni institucioneve të listuara (Gjykatave dhe sistemit të drejtësisë; Parlamentit; Qeverisë; Ombudspersonit; Auditorit),  për qëllimin e hulumtimit, 59% të respodentëve nga Kosova janë shprehur se kanë besim në Institucionin e Avokatit të Popullit, që e rangon më së larti në krahasim me institucionet e listuara nga në vendet në regjion, për të cilat, besueshmëri shprehin më pak se gjysma e popullatës (shih: Balkan Barometer 2017/ Public Opinion Survey, fq. 124 -125).

Po ashtu, respodentët nga Kosova kanë shprehur dukshëm më shumë besim në pavarësinë politike të Institucionit të Avokatit të Popullit (po aty, fq. 126).

Gjithashtu, besueshmëria  e respodentëve nga Kosova ka qenë dukshëm e madhe sa i përket hetimit efektiv të Qeverisë dhe bërjes së saj llogaridhënëse kundrejt qytetarëve (po aty, fq. 129).

Integrimin evropian dhe anëtarësimin në BE, 90% e popullatës në Kosovë e shohin si një gjë të mirë. Po ashtu, Kosova rangohet më së larti sa i përket rëndësisë së integrimit të romëve  për bashkëpunim rajonal dhe hyrjen në BE.

Ndërkaq, duke krahasuar gjetjet e këtij viti me ato nga viti paraprak, Barometri thekson se përderisa hulumtimi në 2016’tën ka nxjerrë që 62% të respodentëve nga Kosova presin anëtarësim në BE deri në vitin 2020, hulumtimi i 2017’tës tregon rënie të dukshme të pritshmërive – vetëm 37 % e respodentëve presin anëtarësim në BE deri në vitin 2020.

Ndër nëntë çështjet që kanë shërbyer për të matur manifestimin e pabarazisë gjinore, respodentët nga Kosova kanë ranguar në krye të tyre dhunën kundër gruas dhe numrin e vogël të grave të përfshira në politikë.

Ndër problemet më kryesore me të cilat përballen, respodentët nga Kosova theksojnë më shumë korrupsionin, papunësinë dhe situatën ekonomike.

Përndryshe, Barometri thekson se ka një rimëkëmbje ekonomike në disa prej ekonomive të mëdha të rajonit, por papunësia në tërësi mbetet brengosëse, si dhe nxjerr në pah shqetësimin në rritje sa i përket korrupsionit. Ndërkaq, sa i përket performancës ekonomike, Barometri paraqet opinion optimist për të ardhmen.

Marrë në tërësi, në gjetjet kryesore në vendet e Evropës Jug –Lindore, Barometri thekson se pritjet e respodentëve, tejkalojnë satisfaksionin me të tashmen dhe veçon vazhdimësinë e optimizmit domethënës në Kosovë.