Kuvendi voton rekomandimet për RTK-në

Me 76 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime, deputetët e Kuvendit miratuan rekomandimet për punën e Radio-Televizionit të Kosovës.
Këto rekomandime qenë propozuar nga grupet parlamentare, ndërsa për RTK-në u diskutua në Kuvend në seancën e kaluar të zhvilluar më 27 mars.
Kuvendi, mes tjerash, i rekomandon Auditorit të Përgjithshëm një auditim të detajuar rreth menaxhimit të RTK-së, ndërsa kërkon edhe raport të performancës dhe raport financiar.
Pasi Kuvendi t’i marrë dhe t’i shqyrtojë këto raporte, nuk e përjashton mundësinë e krijimit të një komisioni hetimor për këtë televizion.
Radio Televizioni i Kosovës, javës së fundit është ballafaquar me protesta nga punëtorët dhe sindikalistët e këtij medium pas vendimit të menaxhmentit të lartë për largim nga puna të redaktorit Arsim Halili dhe kryesindikalistit Fadil Hoxha.
Edhe sot derisa votoheshin rekomandimet për RTK-në në Kuvend, sindikalistët e televizionit protestonin para ndërtesës së legjislativit me kërkesën që Kuvendi t’i bëjë presion bordit të radio-televizionit publik që ta anulojë vendimin për largimin nga puna të Hoxhës e Halilit.