Kushtetuesja e vonon Specialen

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendim rreth amendamenteve kushtetuese, të cilat mundësojnë formimin e Gjykatës Speciale.
Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendim rreth amendamenteve kushtetuese, të cilat mundësojnë formimin e Gjykatës Speciale, edhe pse kjo lëndë në Kushtetuese është dërguar para më shumë se tri javësh nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Zyrtarët e Kushtetueses kanë bërë të ditur se kjo Gjykatë është duke i shqyrtuar amendamentet, por nuk kanë dhënë afate kohore se kur do të mundë të jepet vendimi.
Në anën tjetër përfaqësuesit e partive opozitare kanë thënë se këto amendamente do të duhej të refuzoheshin, megjithatë, sipas tyre, Gjykata Kushtetuese nuk do të marrë vendim të drejtë.
“Kjo lëndë tashmë është duke u shqyrtuar dhe vendimi do të merret në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin mbi Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe Rregulloren e Punës së Gjykatës Kushtetuese. Sapo të merret vendimi, për këtë do të njoftohen të gjitha palët e përfshira dhe i njëjti do të publikohet edhe në ueb-faqen e Gjykatës”, ka thënë për “Zërin” drejtori i Zyrës për Informim, Veton Dula.