Kush i ka uzurpuar rreth 10 hektarë tokë të QKUK-së?

Pronat e QKUK-së janë uzurpuar nga bizneset dhe shtëpitë private, por askush nuk jep informata të sakta se sa hektar toke janë marrë.
Të dy institucionet përgjegjëse SHSKUK-ja dhe Komuna e Prishtinës nuk kanë pranuar të flasin para kamere në lidhje me këtë çështje.
Përmes postës elektronike zyrtarë të SHSUK-së thonë se kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të definohet prona e tyre.
Ndërsa ata të komunës thonë se ende nuk janë bërë matjet gjeodezike, mirëpo sipas certifikatës së pronësisë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka afër 40 hektarë.
Mirëpo, përfaqësues të sindikatës së QKUK-së thonë se rreth dhjetë hektarë tokë janë uzurpuar.
“ Unë mendoj se diku mes 6 dhe 10 hektarë tokë janë të uzurpuar, duke filluar nga parkingu që e ka ndërtua komuna dhe qendra tregtare e cila parashihet që të hapet, pastaj për rreth spitalit ku funksionojnë shumë shtëpi dhe biznese private. Paraja publike dhe QKUK – ja po dëmtohet shumë sepse më lirë do të kishte kushtuar që t’i paguaj vet punëtorët për parking dhe roje se sa të bëjë këtë gjë përmes punëmarrësve”, tha Kryetar i Sindikatës së QKUK –së, Xhemail Selmani.
Sidoqoftë, sindikalistët thonë se uzurpimet e pronës publike të QKUK-së filluan menjëherë pas luftës dhe po vazhdojnë të zgjerohen çdo ditë e më shumë.