Kandidati i vetëm për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpalosur sonte para aktivistëve dhe anëtarësisë së Drenasit platformën e tij për udhëheqjen e këtij subjekti politik.
Kurti ka folur rreth organizimit të ri në këtë parti, dhe programit të kësaj partie e cila ka edhe programin më të përshtatshëm ekonomik.
Ai gjithashtu ka thënë se është për kultivimi të një kulture për diskutim të hapur ku ka kritikë e vet kritikë.
Tutje është shprehur i përkushtuar për barazi gjinore që edhe gratë të kenë hapësirën e duhur brenda kësaj Lëvizje.
Ndër të tjera Kurti ka folur edhe për rolin e aktivistit brenda lëvizjes, të cilin Drenica Press e sjell të plotë për lexuesit e saj.
Aktivisti i VETËVENDOSJE!-s është:
– I organizuar dhe aktiv. Organizimi pa aktivitet bëhet burokraci. Aktiviteti pa organizim bëhet kaos.
– Krenar dhe modest. Krenaria pa modesti bëhet mendjemadhësi. Modestia pa krenari bëhet dorëzim.
– I dashur dhe rigoroz. Rreptësia pa dashamirësi bëhet arrogancë. Dashamirësia pa rreptësi bëhet lazdrim.
– I vendosur dhe analitik. Nuk ka vlerësim e gjykim pa studim dhe analizë. Gjykimi pa studim është teke arbitrare. Studimi pa gjykim është pavendosmëri dërrmuese.
– I zemëruar dhe me shpresë. Zemërimi pa shpresë bëhet hakmarrje. Shpresa pa zemërim bëhet dëshprim.
– I mësuar dhe debatues. Mësimi pa debat bëhet vetëmbyllje. Debati pa mësim bëhet
llafazani.
– Punëtor dhe i aksionit. Puna pa aksion të mërzit. Aksioni pa punë të bën dembel.