Kurti i reagon Glauk Konjufcës: Sonte duhej të përballeshim me pushtetin

Zëdhënësja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, që menaxhon Sekretariatin për Media dhe Komunikim në këtë Lëvizje, e ka goditur deputetin Glauk Konjovca, i cili ishte sonte mysafir në një debat në KTV, përballë Dardan Molliqajt, por për të cilin VV nuk ka bërë asnjë njoftim në faqen e vet, siç bën çdo herë.

Kurti, në një postim në Facebok, ka treguar se Sekretariati për Media vepron vetëm në bazë të rregullave të përcaktuara, dhe sipas saj njoftimet për pjesëmarrje në emisione i bëjnë vetëm atëherë kur ka koordinime.

“Sekretariati për Media dhe Komunikim është organ statutor dhe vepron sipas rregulloreve të përcaktuara demokratikisht. Më përpara ka pasur edhe momente kur ky Sekretariat është kontrolluar pa transparence prej vullnetit dhe dëshirës të njerëzve të rëndësishëm por nuk do të jetë më kështu”

“Ne postojmë njoftime për pjesëmarrje mediatike vetëm të emisioneve të cilat i kordinojmë. Ata që mendojnë se duhet shkelur rregulloret e statuti për të respektuar plane personale janë ata që sot po ankohen se mungon demokracia”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo tutje ka thënë se kriza e Vetëvendosjes duhet të diskutohej përbrenda organeve të Lëvizjes.

“Mungesa e postimit për njoftim të emisionit është theksim i rëndësisë së organeve para studiove televizive. Ato hapësira preferojmë t’i përdorim për debate me pushtetin për hir të aq shumë temave të nevojshme. Të tilla kishte edhe sot. Mund t’i flasim edhe dallimet e brendshme në media por jo si premierë. Mbështetja e qytetarëve është shumë më e madhe sesa mbështetja që tregohet në fund të emisioneve”, ka shkruar Kurti.

Kurse, gjatë transmetimit të emisionit, Molliqaj ia ka përmendur disa herë Konjufcës faktin se pse VV nuk ka bërë njoftim për pjesëmarrje në emision.

Lexo tjetër  Pantina: Duhet Komision hetimor për keqpërdorimet e RTK-së

“Për herë të parë, Vetëvendosja nuk e ka lajmëruar debatin e tyre të sotëm në Facebook, gjë që kishte ndodhur gjithnjë më pare”, ka thënë Molliqaj.