Kuçi dhe Hoti diskutuan për koordinimin qeveritar për kulturën dhe sportin

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti është takuar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi, me të cilin ka biseduar për prioritizimin e kulturës, rinisë dhe sportit në kuadër të objektivave strategjike të Qeverisë së Kosovës.

Me theks të veçantë, Kuçi dhe Hoti kanë diskutuar politikat dhe objektivat e Qeverisë, konkretisht të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që përmes fushave që mbulon MKRS-ja të promovohet dhe avancohet vendi ynë në arenën ndërkombëtare.

Të dy theksuan së është e nevojshme që të rritet koordinimi dhe komunikimi i brendshëm ndërqeveritar me qëllim të bashkërenditjes dhe planifikimit më të mirë në caktimin e objektivave dhe prioriteteve të Qeverisë, ashtu që kultura e sporti të avancohen edhe më tej.

Ata u dakorduan se kultura e sporti janë ambasadorët më të mirë për të prezantuar vendin tonë në ngjarjet e rëndësishme ndërkombëtare dhe kjo shihet si në mundësi për të lobuar edhe më shumë që Republika e Kosovës të zë vendin e merituar në mekanizmat e strukturat ndërkombëtare.

Temë tjetër diskutimi ka qenë edhe veprimi strategjik i Kosovës për anëtarësim në UNESCO, që Qeveria e Kosovës, së bashku me partnerët dhe miqtë e saj të angazhohet në nivelin e nevojshëm për të arritur këtë synim.

Gjithashtu, ndër çështjet që u diskutuan në takim ishte edhe resori i rinisë dhe gjendja e saj në vend. Në këtë takim u tha se angazhimi dhe pjesëmarrja e rinisë në jetën institucionale dhe në vendimmarrja për interesat e tyre mbetet ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës.

 
Loading...