Ku janë inspektorët e ambientit

Gjatë vitit të kaluar në të gjithë Kosovën janë shqiptuar vetëm 25 gjoba mandatore për ata persona të cilët hedhin mbeturina në rrugë apo edhe krijojnë deponi ilegale. Këto gjoba janë të parapara sipas udhëzimeve administrative dhe për shqiptimin e tyre merret inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, të cilët kanë për detyrë të bëjnë inspektimin e kompanive regjionale që merren me menaxhimin e deponive regjionale dhe gjithashtu me të gjithë ata operator të cilët me veprimtarinë e tyre e ndotin ambientin. Kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Bedri Halimi, thotë për KosovaPress se është e pamundur që inspektorët e nivelit qendror të cilët janë vetëm 15, të merren me shqiptimin e dënimeve për të gjithë ata qytetarë të cilët individualisht ndotin ambientin përreth. Ai thotë se përgjegjësi të madhe në këtë drejtim kanë edhe komunat, të cilat janë të obliguara me ligj që të merren me implementimin e këtij udhëzimi administrativ. Kurse, në Komunën e Prishtinës thonë se ata janë duke punuar shumë në këtë drejtim. Zëdhënësja e Komunës, Miranda Mullafazliu, pastrimi i deponive ilegale në pjesët urbane ka filluar qysh në fillim të muajit mars dhe deri më tash janë identifikuar mbi 100 deponi ilegale, të cilat janë të parapara të pastrohen dhe të shndërrohen në fusha të gjelbra.