Kryetari Bahtiri mohon akuzat e PDK-së

 

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, reagon nga Italia, ku është në udhëtim zyrtar, ndaj akuzave, që në adresë të tij i ka bërë të mërkurën Dega e PDK-së në Mitrovicë, duke i quajtur ato krejtësisht si të pa baza dhe tendencioze.
Pa dashur që t’ia mohoj të drejtën PDK-së, apo cilësdo parti tjetër ose subjekti politik, për të kritikuar punën time dhe të institucionit që unë e drejtoj, si dhe pa dashur që të polemizoj, në këtë rast me Degën e PDK-së në Mitrovicë, për hir të qytetarëve të komunës dhe opinionit të gjerë, më duhet të reagoj ndaj një komunikate me akuza të pavërteta, të lëshuar nga dega e kësaj partie në Mitrovicë.
Kryetari Bahtiri thotë se që nga ardhja e tij në postin e kryetarit të Mitrovicës, ka respektuar vetëm ligjin dhe se do ta respektoj atë derisa të jetë në krye të komunës. Por, shton ai, si duket një gjë e tillë nuk po i konvenon degës së PDK-së në Mitrovicë, drejtuesit e të cilës ende nuk po munden ta përballojnë humbjen që pësuan në zgjedhjet e fundit lokale.
Sipas tij, drejtuesit e Degës së PDK-së në Mitrovicë, asnjëherë, duke filluar që nga dita e parë, nuk i kanë ndalur dhe si duket nuk e kanë ndërmend t’i ndalin, shpifjet dhe akuzat e paqena në adresë të tij dhe të pushtetit aktual.
“Për punën time fjalë të mira deri tash,  përveç qytetarëve të komunës, kanë dhënë edhe institucione të ndryshme të nivelit qendrorë dhe organizatat e ndryshme të shoqërisë civile, të cilat e  monitorojnë punën e pushtetit lokal, duke e vlerësuar atë si shumë transparente dhe të bazuar në ligj”, thotë kryetari Bahtiri.
Ai në vazhdim sqaron opinionin se gjithë këto akuza, sidomos këto të fundit, po bëhen në shenjë hakmarrje që nuk ka pranuar ofertat e pareshtura dhe presionin e jashtëzakonshëm të PDK-së, për të ndërprerë bashkëqeverisjen me partnerin aktual, e që është LDK, dhe për të qeverisur komunën me PDK-në.
“Ka disa muaj që kam pas ofertë nga PDK-ja dhe presion që të bëjë koalicion me të, gjë të cilën nuk e kam pranuar, për shkak se dihet qëndrimi im i hapur, në bazë të të cilit kam fituar zgjedhjet, e që është shpëtimi i qytetarëve nga keq qeverisja e PDK-së. Këtë jam duke e bërë dhe do ta bëjë deri në fund të mandatit tim”, theksoj kryetari Bahtiri.
 
Loading...