Kryeparlamentari Veseli uron qytetarët me rastin e Ditës së Kushtetutës

Duke qenë një kushtetutë gjithëpërfshirëse, ajo është njëkohësisht edhe kushtetutë e së ardhmes
Me rastin e 9 Prillit – Ditës së Kushtetutës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Në urimin e kryetarit Veseli thuhet:
 “Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, ju uroj 9 Prillin – Ditën e Kushtetutës së vendit tonë.
Në këtë ditë, ne duhet të mendojmë për vlerat që ngërthen kjo kushtetutë dhe sfidat që kemi përpara në jetësimin e tyre.
Këto janë vlerat që u mundësojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht dallimeve, të ndjejnë Kosovën si shtëpinë e tyre të sigurtë.
Duke qenë një kushtetutë gjithëpërfshirëse, ajo është njëkohësisht edhe kushtetutë e së ardhmes. Dhe ne kemi të ardhme vetëm nëse i jetësojmë në shtetin tonë tre parimet themelore të saj:
–  sovranitetin e ligjit, që do të thotë se askush nuk mund të dalë mbi ligjin,
–  sovranitetin e popullit, që do të thotë se vetëm populli është burim i pushtetit legjitim,
–  dhe sovranitetin e individit,që do të thotë se liritë dhe të drejtat të njeriut janë të pacenueshme.
Ne sot ndeshemi me shumë sfida dhe pengesa të ndryshme në synimin për t’i jetësuar këto vlera, por nuk kemi tjetër alternativë përpos tejkalimit të tyre me punë, durim dhe dashuri të vërtetë për vendin tonë“.