Kryeministri Isa Mustafa vizitoi Komunën e Suharekës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar të shtunën Komunën e Suharekës, ku është takuar me kryetarin Sali Asllanaj.
Pas takimit, kryeministri Isa Mustafa theksoi se është punuar mjaft shumë në këtë Komunë sa i përket ndërtimit të infrastrukturës dhe zgjidhjes së problemeve të drejtpërdrejta të qytetarëve.
Kryeministri vlerësoi po ashtu lidhjen shumë të mirë me qytetarët, edhe sa i përket investimeve dhe një pjesëmarrjeje të konsiderueshme të tyre në investimet që janë kryer këtu në Komunë.
Kryeministri Isa Mustafa theksoi se problem jetik i Komunës mbetet zhvillimi ekonomik, përkrahja e bujqësisë, duke veçuar rezultatet shumë të mira që mund të jenë në fushën e bujqësisë.
“Lypset përkrahje më e madhe e bujqve për arsye se edhe klima por edhe shprehitë e punës të kësaj pjese janë shumë të pëlqyeshme dhe të cilat krijojnë mundësi konkurruese me prodhuesit e tjerë nga të cilët ne importojmë këtu. Ka kërkesa poashtu që të krijohen hapësira të ndryshme për tërheqjen e investitorëve të jashtëm dhe ne do të punojmë bashkërisht me Komunën që krahas ndryshimeve të ligjeve që do t’i bëjmë në nivel të vendit të krijojmë hapësira që investimet t’i drejtojmë më tepër nëpër komuna dhe të kemi një bashkëpunim shumë më të drejtpërdrejtë me kryetarë të  komunave dhe me organe tjera të komunave në mënyrë që të fillojmë t’i zgjidhim problemet krahas një përkrahje më të madhe nga vetë udhëheqësitë komunale dhe nga pushteti lokal”, deklaroi kryeministri Isa Mustafa.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, tha se me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, kanë biseduar për hallet e Komunës dhe projektet e Komunës. “Prej kryeministrit morëm garancione se do të kemi mbështetjen për të gjitha këto halle, për të gjithë këto projekte të cilat janë në funksion të mirëqenies së qytetarëve dhe të zhvillimit ekonomik të Komunës tonë, do të kenë përkrahje, dhe kjo na jep kënqasinë që për ne si Komunë ndoshta po vijnë ditë shumë më të mira, që të kemi një mbështejte shumë më të madhe të Qeverisë së Kosovës”, tha kryetari Asllanaj.