Kryeministri Isa Mustafa priti një delegacion të Asamblesë Nacionale të Francës nga Grupi i Miqësisë Francë-Kosovë

 

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të premten në takim një delegacion të Asamblesë Nacionale të Francës, i udhëhequr nga kryesuesja e Grupit të Miqësisë Francë-Kosovë, Genevieve Gosselin-Fleury.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e ka njoftuar delegacionin francez me progresin që po arrihet në Kosovë, duke theksuar prioritetet e Programit Qeverisës, që kanë për qëllim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, punësimin dhe mirëqenien, sundimin e ligjit dhe shtetin ligjor, agjendën evropiane, reformat thelbësore në arsim dhe shëndetësinë bashkëkohore.
Kryeministri Mustafa ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që shteti francez në përgjithësi dhe Asambleja Nacionale e Francës, po japin për Kosovën.
Kryeministri Isa Mustafa po ashtu shprehu përkushtimin e Kosovës për të thelluar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e gjithanshëm me Francën.
Kryesuesja e Grupit të Miqësisë Francë- Kosovë, Genevieve Gosselin-Fleury, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkushtimin për avancimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e bashkëpunimit parlamentar.
Zonja Genevieve Gosselin-Fleury  po ashtu shprehu mbështetje për proceset integruese evropiane të Kosovës si dhe proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.