Kryeministri Isa Mustafa priti deputetët shqiptarë të Luginës së Preshevës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim deputetët shqiptarë të Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi dhe Shaip Kamberi.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa i njoftoi deputetët shqiptarë me progresin që po arrihet në Kosovë, duke theksuar prioritetet e Programit Qeverisës, që kanë për qëllim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, punësimin dhe mirëqenien, sundimin e ligjit dhe shtetin ligjor, agjendën evropiane, reformat thelbësore në arsim dhe shëndetësinë bashkëkohore.
Kryeministri Isa Mustafa po ashtu shprehu rëndësinë që ka për Kosovën avancimi i vazhdueshëm i proceseve dhe i gjendjes së përgjithshme të qytetarëve shqiptarë në tre komunat, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, duke shprehur përkushtimin e  Qeverisë së Kosovës për të kontribuuar në këtë drejtim.
Deputetët shqiptarë të Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi dhe Shaip Kamberi, pasi vlerësuan progresin që po arrihet në Kosovë, e njoftuan kryeministrin Mustafa për zhvillimet e fundit në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc.
Ata ndanë shqetësimet e tyre për aspekte të ndryshme që lidhen me gjendjen aktuale të shqiptarëve, duke kërkuar përkrahjen e mëtejshme të Kosovës për zgjidhjen e problemeve dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të kësaj pjese.