Kryeministri Haradinaj takoi përfaqësuesit e Shoqatës së Ujësjellësve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Ujësjellësve të Kosovës, të udhëhequr nga Ilir Abdullahu, kryetari i Bordit të Shoqatës dhe Abdullah Dërguti, drejtor menaxhues.

Gjatë takimit është biseduar për funksionimin sa më të mirë të këtij sektori, për shkak të rëndësisë të madhe që ka në ofrimin e shërbimeve të furnizimit të qytetarëve me sasi dhe cilësi të ujit.

Kryeministri Haradinaj konstatoi se niveli i furnizimit me ujë është i kënaqshëm, por që menjëherë Qeveria do të angazhohet në marrjen e vendimeve strategjike për sigurimin e furnizimit afatgjatë dhe të përhershëm me ujë.

Kryeministri Haradinaj i ka dhënë mbështetje kërkesës për të organizuar Konferencën Ballkanike të Ujërave, që do të mbahet në Prishtinë nga 1 deri më 3 nëntor të këtij viti, me titullin “Sfidat e ujit të ndotur”.