Kryeministri Haradinaj priti ambasadoren e Finlandës, Huhtamaki

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamaki, me të cilën bisedoi lidhur me proceset që po kalon Kosova.

Kryeministri Haradinaj tha se Finlanda është shtet mik dhe i preferuar i Kosovës, prej nga vjen arkitekti i Planit Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, Martti Ahtisaari.

Kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur i lumtur dhe mirënjohës që ka marrë letër urimi nga Kryeministri finlandez, Juha Sipila.
Kryeministri Haradinaj theksoi në takim se marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Finlandës dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe pret që vazhdimi i bashkëpunimit mes dy vendeve të intensifikohet.

Ai ka theksuar se Finlanda mund ta ndihmojë Kosovën në shumë rrafshe, sidomos në edukim, sektorin e energjisë, kujdesin shëndetësor dhe mjedisin.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për zhvillimin e tregtisë mes dy shteteve, me fokus të veçantë investimet në Kosovë.