Krenaria e qytetit të Drenasit, KF Feronikeli përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare!

Kampioni i Kosovës në futboll, KF Ferronikeli, e ka kaluar kriterin më të vështirë të UEFA’së për pjesëmarrje në garat e kësaj organizate. Ndër të gjitha klubet kosovare, kriteri financiar është plotësuar vetëm nga Ferronikeli, bëjnë të ditur burime të Gazeta Metro brenda Federatës së Futbollit (FFK).

Mosplotësimi i kriterit financiar ishte shkaku që edhe sezonin e kaluar asnjë prej klubeve të mos mund të merrnin pjesë në garat e UEFA’së.

Në bazë të rregullave të UEFA’së, në garat evropiane do të marrin pjesë skuadrat e renditura më lartë ndër klubet e licencuara.

Siç qëndrojnë momentalisht gjërat dhe UEFA nuk ndryshon vendimin e saj, Ferronikeli do të jetë ekipi i vetëm që do të luante në fazën kualifikuese të Ligës së Kampionëve, pa marrë parasysh në cilën pozitë e përfundon kampionatin, bëjnë të ditur burimet e Gazeta Metro në FFK.

Përpos suksesit në të ligën vendore, klubet në Europë duhet të aplikojnë dhe më pas të licencohen nga UEFA, e cila u lejon ose jo pjesëmarrjen në fazën kualifikuese të Ligës së Kampionëve apo Ligës së Europës.

Derisa kriteri infrastrukturor nuk ka të bëjë direkt me klubin – loja mund të luhet në çfarëdo stadiumi në shtet që i plotëson kriteret e UEFA’së – kriteret tjera duhet të plotësohen vet nga klubet dhe përfshijnë: kriterin financiar, sportiv, ligjor dhe atë administrativ.