Krasniqi: Gjykata e EULEX’it ishte politizuar për “Rastin Limaj”

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëri prej themeluesve të Nismës, Jakup Krasniqi, ka qëndruar në Bruksel ditëve të fundit, ku ka pasur disa takime me deputetë të Parlamentit Evropian, shkruan sot Koha Ditore. Ai është takuar me raportuesen për Kosovën, Ulrike Lunacek, dhe me deputetin Eduard Kukan. Pas këtyre takimeve, Krasniqi ka thënë se me ta ka diskutuar për situatën aktuale në Kosovë e veçanërisht për dyshimet për politizim të Gjykatës së EULEX-it në rastin Limaj, ku ka pasur tentime për ndërhyrje politike në dëm të tij. Krasniqi tha se u ka kërkuar bashkëbiseduesve në Bruksel që të angazhohen për të siguruar respektimin e ligjeve dhe drejtësinë. Ai tha se ka shprehur shqetësimin e tij dhe të Partisë Nisma për rastet e raportuara nga “Koha Ditore” se një gjykatës i EULEX-it ka shprehur gatishmëri për ta dënuar zotin Limaj pa pasur nevojë të marrë parasysh rastin. Krasniqi ka thënë se bashkëbiseduesit e tij kanë shprehur interes që hetimet lidhur me keqpërdorimet në EULEX të shkojnë deri në fund, dhe në këtë kontekst presin raportin e hetimeve që duhet të prezantohet së shpejti.