Kosova ime po mbush 10 vite!

Shkruan Adelina Hoxhaj

Kosova ime po mbush 10 vite! Në 2008 kur ti u pavarësove une kisha moshën tënde që ke ti sot, unë isha 10 vjeçare. Unë isha shumë e lumtur se shteti im po linte pas vuajtjet, humbjet, dhembjet,sakrificat e mëdha dhe çdo gjë që na kishte shkatërruar e shtypur ne! Shteti im kishte mbledhur forcën dhe po e rimerrte veten, shteti im po rilindte!

Por, a u pavarësove me të vërtetë?! Jo. Kosovë, ti nuk u pavarësove në 2008 e me keqardhje të shkruaj që ti nuk u pavarësove as pas 10 vitesh në 2018!

Ne akoma nuk po frymojmë të lirë në vendin tonë. E si mund të frymosh teksa sheh fëmijë të uritur në rrugë e të pastrehë, teksa sheh familje skamnore që u pikon shiu në kokë, teksa sheh rininë tonë të bukur duke bredhur rrugëve më ëndrra të thyera e të pashpresë, teksa sheh popullin tonë të mbytur në vuajtje dhe mjerim që nuk ditën t’i gëzohen asgjëje. Teksa sheh intelektualë të papunë e me diploma të hudhura në qoshe e të pluhurosura në kohën kur vendi ynë ka më së shumti nevojë për punë dhe vetëm punë!

Jo, ne nuk jemi të lirë! Ne jemi të izoluar! Ne s’kemi liberalizim si shtetet fqinje, jemi shteti më i izoluar në Evropë. (Bile për diçka të parët jemi). Ne nuk na u ipet mundësia as në vendin tonë e as të shkojmë përtej tij ta gjejmë veten…….

Nuk dua të vazhdoj më tutje, më falni, kemi festë! Edhe pse njerëzit festojnë kur arrijnë një pikësynim, kur shënojnë progres në jetën e tyre! Por sidoqoftë, populli ka ngritur flamuj nëpër shtiza, po festuakan, ne kemi festë!

Lexo tjetër  Ja dallimi mes Shqipërisë së Bashkuar dhe “Shqipërisë së Madhe”

Kosovë, me gjithë dashurinë time që kam për ty, të urojmë jubileun nga shpirti që na digjet! Na i kthe shpresën e humbur për një të ardhme më të ndritur, na jep forcë dhe vullnet për të vazhduar dhe punuar fort në shtetbërje! Të uroj që në 10 vjetorin e dytë, kur ti të jesh 20 vite sa unë tani, të jesh me të vërtetë e pavarur, e fortë, përparimtare dhe e zhvilluar në të gjitha sferat.

Të pafsha në ditë më të mira! Unë, bija yte, Kosovë!

(Autorja e opinionit është nga Skenderaj, ish-kryetare e Rinisë së Kosovës)