Kosova dhe Shqipëria me strategji të përbashkët për aktivitetet kulturore në diasporë

Ministri i Diasporës, Valon Murati, priti sot, në një takim, ministren e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro.
Në këtë takim, përveç objektivave dhe detyrave që dalin nga Ligji i Diasporës, u fol edhe për aktivitet kulturore për diasporën.
Në fokus të takimit ishte bashkëpunimi i Ministrisë së Diasporës me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë në aktivitetet kulturore “Ditët e kulturës shqiptare”, të cilat planifikohen të organizohen në diasporë bashkë me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë.
Ministri Murati e njoftoi znj.Kumbaro për punën dhe funksionimin e tri qendrave kulturore në diasporë, konkretisht në Turqi, Zvicër dhe Suedi.
Prej këtu rrodhi edhe ideja që të themelohen qendra të përbashkëta kulturore në diasporë, të cilat do të shërbenin si vende ku mësohet për gjuhën dhe kulturën shqiptare, që atë ta paraqesin sa më mirë para botës.
Ndërkaq, ministrja Kumbaro theksoi krijimin e një modeli të qendrave kulturore që do të kishte sukses për shumë vjet.
Të dyja palët, ministri Murati dhe ministrja Kumbaro, u dakorduan që të kontribuojnë me projekte të përbashkëta të komunitetit artistik shqiptar, gjithnjë në të mirë të diasporës.