Kosi, mbrojtës i mirë kundër diabetit

Sipas një studimi të realizuar nga studiues të Universitetit të Harvardit, konsumi i përditshëm i kosit është lidhur me një rrezik mesatarisht 18 për qind më të ulët nga diabeti i tipit 2.

Ky është një studim që u krye në një grup prej 51.000 meshkujve dhe 238.000 femrave, nga të cilët rreth 15.000 u sëmurën nga diabeti i tipit 2.

Studiuesit theksojnë se konsumi i produkteve të tjera të qumështit nuk ishte i lidhur me rrezikun e diabetit të tipit 2. Diabeti i tipit 2, diabet ky i pavarur nga insulina ose diabeti i të rriturve, është një çrregullim metabolik i karakterizuar me nivele të larta të glukozës në gjak në kontekstin e rezistencës së insulinës dhe mangësisë relative të insulinës.

Simptomat e zakonshme të këtij tipi diabeti janë etja e tepruar, urinimi i shpeshtë dhe uria konstante, ku obesiteti konsiderohet shkaku kryesor i diabetit të tipit 2 tek njerëzit të cilët janë të predispozuar gjenetikisht për këtë sëmundje.

Diabeti i tipit 2 fillimisht trajtohet me një rritje të ushtrimeve dhe ndryshim të dietës, dhe nëse niveli i glukozës në gjak nuk ulet me këto masa, mund të nevojiten medikamente.