Konkursi i ri për Avokatin e Popullit

Kuvendi i Kosovës pritet të shpallë së shpejti konkursin e ri për Avokatin e Popullit, pasi javën që shkoi dështoi zgjedhja e Avokatit të ri.
Ndikimet politike dhe mënyra e zgjedhjes me 61 vota, kanë bërë që të dështojë edhe konkursi i dytë, ndërkohë që konkursi i parë kishte dështuar para një viti. Sami Kurteshi vazhdon edhe më tej ta ushtrojë funksionin e Avokatit të Popullit, ndonëse mandati i ka kaluar më 4 qershor të vitit të kaluar.
Njësoj sikur për Presidentin dhe për Qeverinë, edhe për zgjedhjen e Avokatit të Popullit nga Kuvendi i Kosovës nevojiten së paku 61 vota të deputetëve. Ky fakt dhe ndikimet e ndryshme politike kanë bërë që në dy konkurse të dështojë zgjedhja e Avokatit të Popullit. Në konkursin e fundit ishin 21 kandidatë, ndërsa ishin përzgjedhur tre prej tyre, por që në seancën e 2 prillit, asnjëri nuk arriti t’i marrë 61 vota. Kryetarja e Komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, Lirije Kajtazi, thotë se ka pasur kandidatë me kredibilitet, por dështimi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit vjen për shkak të mënyrës së votimit.
“Unë mendoj se një nga arsyet është se nevojiten 61 vota minimum për ta nxjerr një kandidat, çka do të thotë se është një formulë të cilën shpesh Kuvendi nuk arrinë në raste të tilla”, thotë Kajtazi për Radio Kosovën.
Kajtazi nuk e përjashton as mundësinë e ndikimeve politike. Andaj thotë se për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, duhet së pari grupet parlamentare ta kuptojnë drejt rolin e këtij institucioni, në mënyrë që pastaj kjo të reflektohet në rezultat.
“Kjo është e realizueshme nëse është disponimi politik, por jo që të vihet me porosi. Ju e patë herën e kaluar që kishte disponim të votohet në raundin e parë derisa kishte emra që dikujt i pëlqenin, por jo të votohet në raundet tjera ngase pikërisht janë ato përzgjedhjet apo nuancat politike për të votuar për njërin apo për tjetrin”, thotë Kajtazi.
Njësoj Kuvendi pati dështuar edhe para një viti, kur avokatit aktual, Sami Kurteshit i kishte përfunduar mandati më 4 qershor, e i cili vazhdon edhe më tej ta ushtrojë detyrën e Avokatit të Popullit. Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë fjalë të mira për punën e Kurteshit. Deputetja e kësaj lëvizje, Shqipe Pantina, thotë se kjo ka bërë që edhe partitë politike ta shtojnë ndikimin e tyre në përzgjedhjen e Avokatit të ri.