Komuna e Mitrovicës përkujdeset për shëndetin e minatorëve grevist

 

Drejtoresha e Shëndetësisë në Mitrovicë, Nexharije Islami-Pllana me bashkëpunëtorë,  ka vizituar minatorët grevist në horizontet e Minierës në Stan Tërg, ku është interesuar për shëndetin e tyre.
“Ne ishim sot në horizontet e minierës për të parë se si është gjendja shëndetësore e grevistëve, me ç’rast për këtë u informuam nga mjeku i minatorëve dhe mund të themi në përgjithësi se gjendja e tyre shëndetësore tani për tani është stabile, edhepse disa prej tyre kanë telashe, pasi që shumica e grevistëve vuajnë nga sëmundjet e ndryshme kronike dhe u nevojitet terapi (barna) për çdo ditë”, tha Pllana.
 Ajo na vazhdim tha se disa nga minatorët ankoheshin për dhembje të kokës, mundim të lukthit, pastaj probleme me sy, dhe ne i siguruam ata se do të dërgojmë ekipet tona emergjente, përfshirë edhe teknikët medicinal, për tu dalë në ndihmë.
“Përveç kësaj, ne do tu dërgojmë edhe barnat që u nevojiten pasi që ata ishin të vendosur që të vazhdojnë grevën e tyre. Ne si personel shëndetësor jemi mobilizuar dhe jemi të gatshëm të intervenojmë në rast nevoje në çfarëdo situate dhe në çdo kohë”, theksoj drejtoresha Pllana.
Ajo njoftoj po ashtu se mantelbardhët janë të përgatitur për çfarëdo situate, duke përfshirë këtu edhe rezervimin e shtretërve nëse vjen puna deri te përkeqësimi i gjendjes shëndetësore të ndonjërit nga grevistët deri në at masë sa është e nevojshme shtrirja e tij në spital.