Komuna e Mitrovicës dhe IADK sigurojnë ushqimin për nxënësit e një shkolle të komunës

 

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur në një takim drejtorin e IADK-së, Zenel Bunjakun me bashkëpunëtorë, me të cilin ka biseduar për intensifikimin e bashkëpunimit ët ndërsjellë. Na takim morën pjesë edhe drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit, Ajmane Barani dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Nasuf Aliu.
Drejtuesit e IADK-së kanë shpreh interesim për thellimin e bashkëpunimit me Komunën e Mitrovicës, ndërkohë që e kanë njoftuar kryetarin Bahtiri se kanë fituar një projekt nga Bashkimi Evropian, për hapjen e bufeve në disa shkolla të Kosovës, dhe se një të tillë dëshirojnë të hapin edhe në njërën nga shkollat e Mitrovicës.
“Projekti për të cilin po flasim, ka të bëjë me angazhimin e përkohshëm të grave të veja, andaj edhe janë përzgjedhur 15 sosh,  të cilat do të trajnohen për përgatitje të ushqimit. Katër nga gratë që tregohen më të suksesshme, por edhe që e kanë më të vështirë gjendjen ekonomike, do të kenë mundësinë që të punojnë në bufetë e shkollave, për hapjen e të cilave IADK-ja do të ndihmoj me pajisje përkatëse”, tha drejtuesi i IADK-së, Zenel Bunjaku.
Sipas tij, nga ky projekt, përveç grave që do të angazhohen, do të përfitojnë e dhe vet nxënësit e shkollës, të cilët do të kenë mundësi që me participimin prej vetëm 3.5 euro në muaj, çdo ditë të marrin nga një racion ushqim të freskët, i cili do të jetë i ndryshëm për çdo ditë.
Kryetari Bahtiri, pasi falënderoj përfaqësuesit e IADK-së për punën që kanë bërë në Mitrovicë, premtoj thellimin e bashkëpunimit me IADK-në. “Jam i gatshëm të bashkëpunoj me të gjithë ata që ua duan të mirën vendit dhe qytetarëve, pra edhe qytetarëve të  Mitrovicës. E vlerësoj  këtë projekt, me të cilin ju ofrohet ushqim i freskët nxënësve çdo ditë. Njëherësh kërkoj nga ju si IADK, të shqyrtoni mundësinë që në bashkëfinancim me komunën tonë, të zgjerohet projekti në të gjitha shkollat fillore”, tha kryetari Bahtiri.
Drejtori i Bujqësisë, Nasuf Aliu, vlerësoj se kjo është një mënyrë kur mund të hapen vendet të reja të punës, duke mbështetur njëkohësisht idenë e kryetarit Bahtiri, për mundësinë e zgjerimit të projektit me bashkëfinancim me IADK-në.
Bunjaku tha se do të shqyrtohet një mundësi e tillë, ndërkohë që kërkoj nga kryetari Bahtiri dhe drejtoresha Barani, që t’i propozojnë dy apo tri shkolla që kanë numër më të madh të nxënësve dhe që i plotësojnë kushtet për hapjen e bufesë në mënyrë që të përzgjidhet njëra nga to.
Në takim u diskutua edhe për çështje të tjera, kryesisht në fushën e bujqësisë për mundësinë e realizimit të projekteve të ndryshme. U përmenden mundësitë për mbështetjen e fermerëve vendor në kultivimin e bimëve aromatike dhe atyre mjekësore, pastaj kultivimit të mjedrave dhe dredhëzave, të cilat nuk kërkojnë shumë hapësirë e as investim të madh, ndërkohë që tregu për shitjen e tyre është i sigurt.
Në shenjë mirënjohje për punën që ka bërë IADK në Komunën e Mitrovicës, kryetari Bahtiri i dha Bunjakut një Falënderim, ndërkaq, ky i fundit vlerësoj se ky falënderim është një motiv shtesë për punën e IADK-së në të ardhmen në komunën e Mitrovicës.