Komandanti i KDS-së mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare në Stamboll

Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes gjeneralbrigade Enver Cikaqi, me ftesë të komandantit të Forcave Ajrore të Turqisë gjeneralit Akin Ozturk, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare mbi Fuqinë e Hapësirës Ajrore e cila është mbajtur në Stamboll të Turqisë.
Gjenerali Enver Cikaqi e cilësoi konferencën si një përvojë të mirë për të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë e posaçërisht për FSK-në.
Ai pati takime edhe me delegacione të shteteve pjesëmarrëse të NATO-s, me të cilët ka shkëmbyer përvojat ushtarake, ndërsa një takim të veçantë e pati me komandantin e Forcave Ajrore të Turqisë, gjeneralin Akin Ozturk me të cilin ka biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë së Turqisë. Gjenerali Akin Ozturk premtoi vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen me FSK-në.