Kolegji i Gylenit “Mehmet Akif” dënohet me 12 mijë euro, instaloi kamera në toalete

Kolegji “Mehmet Akif” është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 12 mijë euro, për shkak të shkeljes së privatësisë dhe instalimit të kamerave nëpër toalete, transmeton Gazeta Express.

Kështu ka bërë të ditur në një komunikatë për media Gjykata Themelore që thotë se kishin marrë një kërkesë nga Agjensia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale më 5 maj të vitit 16’të.

Divizioni për Kundërvajtje në këtë Gjykatë ka shqiptuar gjobën prej €12.000 më 9 shkurt 2018, për përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamera në hapësira që nuk lejohet instalimi i kamerave.

“Zyrtarë të Agjencisë, gjatë inspektimit të zhvilluar në maj të vitit 2016, kishin konstatuar se ky kolegj kishte instaluar kamera në hapësira të punës, si zyra, mësonjëtore (klasa mësimi) si dhe hapësira sanitare (tualete të kolegjit). Kjo mënyrë e përpunimit të të dhënave personale përmes vëzhgimit me kamera bie ndesh me dispozitat 62 dhe 64 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe si e tillë përbën shkelje të privatësisë së individit”, thuhet në vendim të gjykatës.

Gjykata thekson se vëzhgimi me kamera lejohet “vetëm nëse konsiderohet e nevojshme për sigurinë e njerëzve dhe sigurimin e pasurisë”, edhe atë “vetëm në hyrjet e ndërtesave”, por jo edhe “në hapësirat e brendshme të punës, e aq më pak në hapësirat sanitare, respektivisht tualete”./Express/

Lexo tjetër  Anëtarësimi në Interpol, sfidë për diplomacinë kosovare