Kodi Civil i Kosovës

Shkruan: Dren Ajeti
Ministria e Drejtësisë më në fund themeloj Komisionin për hartimin e Kodit Civil të Kosovës. Ky Kod do ta fus Kosovën në familjën e madhe të shteteve me kodifikim civil dhe do të paraqes mundësinë për të rishikuar legjislacionin aktual të vendit duke e bërë më përshtatshëm gjatë zbatimit dhe duke përfshirë edhe zhvillimet e fundit në të drejtën.
Por çështë Kodi Civil? Kodi civil paraqet përmbledhjën e normave me karakter civil në një ligj të vetmëm. Aty nuk janë të përmbledhur të gjitha ligjet civile, pasi diçka e tillë do të ishte e panevojshme dhe mundim i tepërt.  Aty janë të përmbledhur vetëm raportet që rregullohen nga e ashtuquajtura e drejta e pergjithshme private (e drejta sendore, e detyrimeve, familjare dhe trashëgimore) kurse te drejtat e veçanta private si e drejta e autorit, e drejta tregtare, etj. mbesin të rregulluar në ligje në vete.
 Përmbledhje të tilla të kodeve ka pasur qysh nga koha antike, por më e njohura dhe që ka shtrirë ndikimin e tij deri në ditët e sotme është Kodi i Justinianit i vitit 534.
Koha e kodifikimeve të mëdha fillon me të ashtuquajturin Code Napoleon (Kodi i Napoleonit) i vitit 1804, sipas mbretit Napoleon, që kishte urdhëruar përmbledhjën e së drejtës civile në një libër te vetme të shkruar me një gjuhë të thjeshtë që ta kuptonte çdokush. Pas këtij kodi pasuan një sërë kodesh tjera të famshme si “Kodi i përgjithshëm civil i Austrisë” (1812) e cila me shumë amandamentime vazhdon të jetë ende në fuqi, e ndarë sipas sistemit institucional: Personae (persona), Res (sende) dhe Actiones (Padi). Ndërkaq njëri ndër kodet më të rëndësishme të Europës vazhdon të jetë Kodi Civil Gjerman (Bürgerliches Gesetzbuch – BGB). Ky Kod hyri në fuqi më 1900 dhe me disa amandamentime vazhdon të jetë ende në fuqi. Libri është i ndarë sipas sistemit pandekt, pra në gjithsej pesë kapituj, të quajtur libra: Pjesa e përgjithshme, e drejta sendore, e drejta e detyrimeve, e drejta familjare dhe e drejta e trashëgimisë. Këtë ndarje sot ndjekin shumica e shteteve të Europës,ndër ta edhe Kodi civil Shqiptar.
E drejta civile kosovare asnjëherë nuk ka pasur një kod civil, mirpo kjo nuk do të thotë se nuk ka ndjekur një sistemim të së drejtës. Në të vërtetë, legjislacioni ynë civil i shpërndarë në disa ligje i takon pikërisht sistemit pandekt.
Hartuesit e kodit civil do të duhej të kishin kujdes disa pika gjatë hartimit të kodit tonë civil. Këtu janë të cekura vetëm tre nga to:
1. Gjatë hartimit të kodit civil, hartuesit duhet të marrin parasysh raportet shoqërore në Kosove. Gabimet e shumta që janë bërë në këtë drejtim nga shumë shtete të tjera është se ato shpesh kanë kopjuar kodet e vendeve të tjera që pastaj kanë hasur në pengesa gjatë zbatimit. Hartuesit tanë duhet të kenë parasysh se Kodi po hartohet për shoqërinë kosovare dhe si të tillë duhet t`i pasqyrojnë raportet shoqërore aty.
2. Gjatë hartimit do të duhej të ruhej sistemi pandekt, pra ndarja e Kodit në pesë pjesë: Pjesa e përgjithshme që vlen për pjesët e tjera të këtij kodi (e që fatkeqësisht deri më sot është i shpërndarë nëpër ligje të ndryshme), të drejtën sendore, të drejtën e detyrimeve, të drejtën familjare dhe të drejtën e trashëgimisë.
3. Kodi i ardhshëm civil nuk duhet të rregulloj decidivisht çdo raport, pasi diçka e tillë është treguar si e padobishme dhe e pamundur; raportet ndërmjet personave ndryshojnë vazhdimisht dhe si e tillë shumë raporte mbesin të parregulluara. Në fakt, në kodin e ri duhet të përdorët një gjuhë abstrakte juridike me qëllim që të absorbohen sa më shumë marrëdhënie juridike në të. Kështu gjykatat do të krijonin një praktikë të begatë gjyqësore që do t`i shërbente edhe shkencës juridike dhe evoluimit të vazhdueshëm të së drejtës civile. Duke përdorur një gjuhë abstrakte, do të evidentohej edhe rreziku i fryerjës së tepërt të kodit me nene të shumta. E si argument kryesor shërben jetëgjatësia e kodeve me gjuhë abstrakte. Përderisa Kodi civil francez që ka përdorur një gjuhë të thjeshtë është ndyshuar aq shpeshë, saqë ka humbur thuajse thelbin e vitit 1804, Kodi civil gjerman, ndonëse poashtu i amandamentuar disa herë, vazhdon të ecë në traditën e kodit të vitit 1900 duke iu përshtatur shumë mirë rrethanave të shek. 21.
Me shpresë se ky kod do të jetë një pasurim i madh për sistemin tonë të drejtësisë, hartuesve të këtij kodi iu uroj një punë sa më të frytshme gjatë hartimit të kodit të parë civil të Republikës së Kosovës.