“Koalicioni AAK-NISMA, përgatitje për koalicion me PDK-në”

Ajo që deri më tani quhej “Opozita e bashkuar” tani më është pa një parti, Lëvizjen Vetëvendosje. Megjithatë, dje zyrtarisht dy partitë tjera, AAK dhe Nisma kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicionin e tyre opozitar.

E sipas zyrtarit të partisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Adonis Tahiri, kanë thënë se janë duke punuar për formimin e Alternativës së bashkuar politike qytetare.

Sipas tij, do të përfshihen edhe pjesëtarë të shoqërisë civile, subjektet të tjera opozitare, si dhe personalitete të tjera.

“Të gjithë ata që do të përfshihen në këtë alternativë do të ndajnë me ne mendimin e njëjtë për sa i përket marrëveshjeve të 25 dhe 26 gushtit, mënyrës së qeverisjes në përgjithësi dhe qasjes që duhet ta ketë pushteti i ardhshëm karshi shtetit dhe qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Tahiri për Telegrafin.

Gjithashtu ai tha se një Alternativë e tillë është e domosdoshme edhe për luftimin e këtij regjimi autoritar deri në largimin e tij, edhe për qeverisjen e ardhshme me bazë në shtetin e së drejtës, shtetin zhvillimore dhe atë social.

“Largimi i këtij pushteti nuk bëhet me koketime dhe flirtime eventuale me partitë në pushtet, për shkak se një gjë e tillë nuk çon në ndaljen e së keqes në Kosovë. Duhet të sqarohen flirtimet me partitë në pushtet para se të vazhdojmë me veprimin e përbashkët opozitar, që do të manifestohej me protesta”, ka thënë ai.

Sipas zyrtarit të VV-së, kauzat e ngritura tash e sa muaj nga opozita, duhet të çohen deri në fund.

“Kjo kërkon organizim edhe më të gjerë sesa opozita e deritashme, ashtu që protestat e ardhshme të jenë edhe më të fuqishme”, ka shtuar më tej Tahiri.

Por, sipas analistit Imer Mushkolaj, për arritjen e qëllimit të tyre për rrëzimin e qeverisë është më mirë të veprojnë bashkërisht, ashtu siç edhe kanë qenë.

Sipas tij, koalicioni AAK dhe Nisma po përgatitet si një subjekt i përbashkët i cili mund të jetë i gatshëm për kombinimet pas zgjedhjeve, që domethënë mundësinë e hyrjes në koalicion me PDK pas zgjedhjeve.

“Ndërkohë VV-së i mbetet të vazhdojë betejën opozitare e vetme dhe të provoj të animojë sa më shumë njerëz që t’i bashkohen. Beteja për të arritur qëllimin kishte qenë më e fortë të vazhdonin të tria”, tha ai duke shtuar se nuk beson që VV t’ia dal kësaj sfide edhe pse do të provojnë t’ia dalin deri në fund.

Ndryshe, AAK dhe Nisma kanë paralajmëruar protestën e radhës më 14 maj, protestë në të cilën nuk pritet të marrë pjesë edhe Lëvizja Vetëvendosje. /Telegrafi/