KMDLNj: Të verifikohen listat e veteranëve

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka ngritur si shqetësim, çështjen e mundësisë së zvogëlimit të pagës për veteranët e luftës dhe dyshimet për fryrjen e listave për këtë kategori.

KMDLNj në një takim me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi ka kërkuar përgjegjësi për ata që i kanë fryrë listat dhe verifikim të listave jo nga ata që kanë kontribuar për këto lista por nga një komision i pavarur.

Sipas një komunikate të KMDLNj-së, ministri Abrashi u ka thënë atyre se ende nuk kanë kërkesë zyrtare nga FMN dhe se nuk është marrë asnjë vendim për këtë, mirëpo, është shqetësues numri i madh i veteranëve të luftës i cili e kalon 40.000, ndërsa planifikimet buxhetore ishin bërë për 13 – 14.000 veteranë të luftës.

“KMDLNj edhe më parë ka shfaqur dyshime se listat e veteranëve të UÇK – së janë të fryra, janë joreale, të pavërteta dhe si të tilla nuk do të duhej të pranoheshin. KMDLNj ka kërkuar përgjegjësi për ata që i kanë fryrë listat , verifikim të listave jo nga ata që kanë kontribuar për këto lista por nga një komision i pavarur. Kosova me këto mundësi buxhetore nuk ka mundësi minimale t’i kompensojë mbi 40.000 veteranë të luftës sepse më shumë se 50% janë kontrabanduar në këto lista. Si zgjidhje e çastit KMDLNj ka propozuar që të gjithë ata që janë në marrëdhënie pune dhe marrin pagë mbi mesataren e Kosovës e të cilët marrin edhe pagë si anëtarë të TMK –së dhe invalidë të luftës duhet të përcaktohen për pagën që duan ta marrin e jo të marrin pagë nga tri pozita. Mjetet e kursyera do të shkonin në një fond të veçantë për përmirësimin e pagave të veteranëve të luftës”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

KMDLNj sqaron se Sindikata e pavarur e administratës publike e Kosovës i është drejtuar KMDLNj –së dhe ka vizituar zyren në Prishtinë shkaku se konsideron se: pranimi i statusit të punës kontributdhënës për periudhën 1989 – 1999 pa i paguar kontributet sanksionohet me Ligjin nr. 04/L-131,ndërsa n eni 8 paragrafi 6 i këtij ligji përfshinë punëtorët e arsimit , të shëndetësisë dhe të tjerët të cilët nuk përmenden shprehimisht prandaj SPAK –u pretendon se i është bërë padrejtësi anëtarësisë interesat e të cilat i përfaqëson e të cilat do të duhet të trajtohen si ata të arsimit dhe të shëndetësisë.

Gjatë takimit me KMDLNj, ministri Abrashi tha se është i informuar shumë mirë me këtë rast dhe se po punohet me një dinamikë të përshpejtuar që pas rregullimit të statusit pensional për punëtorët e arsimit dhe të shëndetësisë për njohjen e statusit pensionalkontributdhënës të periudhës 1989 – 1999 të vazhdohet edhe me kategoritë e tjera dhe se në këtë drejtim nuk do të diskriminohet askush dhe se do të veprohet në përputhje me ligjin.

“Është duke u punuar në kompletimin e listave për ta përshpejtuar tërë procesin. KMDLNj e njoftoi ministrin Abrashi se kërkesat e SPAK – ut janë të arsyesh me dhe në përputhje me ligjin mirëpo në të njejtën kohë duhet të merret parasysh konteksti ekonomiko – social sikur edhe kapaciteti buxhetor i qeverisë së Kosovës dhe vetëm në bazë të këtyre parametrave edhe mund të përcaktohet realizimi i dinamikës së këtij procesi. Një problem që shumë e rëndon Buxhetin e Kosovës janë pensionet e dyfishta me ç’rast më shumë se 23.00 shtetas të Kosovës nga diaspora e që kanë dy pensione ( në vendin ku jetojnë dhe në Kosovë) pjesa dërrmuese nga Turqia , Zvicra , Gjermania , Maqedonia dhe shtetet tjera e rëndojnë buxhetin me 27 – 29 milionë euro për një vit. KMDLNj konsideron se kjo dukuri është e kundërligjshme dhe se pensionistët duhet të deklarohen nëse duan ta marrin pensionin në shtetin ku e kanë fituar të drejtën e pensionimit apo pensionin që e kanë fituar në Kosovë në bazë të moshës dhe i cili nuk iu takon në asnjë mënyrë. KMDLNj kërkon që të ndërpritet kjo praktikë e pensioneve të dyfishta duke i azhurnuar listat në bashkëpunim me shtetet ku e kanë fituar të drejtën e pensionit pas së cilës do të fshiheshin në mënyrë automatike nga lista e pensioneve të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

KMDLNj do të bashkëpunojë edhe në të ardhmen me Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale në mënyrë që të tejkalohen problemet e adresuara në zyrën e KMDLNj –së.

 
Loading...