Klubi shqiptar nis bashkëpunimin me ish-presidentin e Barcelonës, Laportan (Foto)

Skuadra e Skënderbeut ka pasur një mysafirë të rëndësishëm gjatë kësaj jave.

Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka ndjekur nga tribuna VIP e “Elbasan Arenës” ndeshjen e Ligës së Evropës, të luajtur mes Skënderbeut dhe Partizanit të Beogradit, e përfunduar pa gola, në barazim.

Laporta ndodhej prej dy ditësh në Shqipëri, i ftuar nga menaxheri i përgjithshëm i klubit korçar, Gerhard Takaj, jo vetëm për të ndjekur sfidën në fjalë, por edhe për të diskutuar mundësi të reja bashkëpunimi.

Laporta dhe menaxheri i përgjithshëm i Skënderbeut janë takuar dhe kanë diskutuar mbi projekte e mundësi bashkëpunimi në të ardhmen.

Bashkëpunim, i cili konsiston në objektivin e drejtuesve bardhekuq për të ngritur në nivele edhe më të larta klubin e futbollit “Skënderbeu”, si edhe investimin, strukturimin dhe ngritjen e nivelit të akademisë së futbollit në Korçë. /telesport/