Klubet e volejbollit nga Skenderaj përfaqësojnë Kosovën në “Challenge Cup”

 

Federata e Volejbollit e Kosovës ka bërë të ditur se për edicionin e ardhshëm do të ketë përfaqësuesit e saj në “Challenge Cup”, në të dy konkurrencat.
Janë këto skuadrat kampione të Kosovës në volejboll për edicionin 2014/15, që vijnë nga qyteti i Skenderajt: Drenica R&Rukolli te meshkujt dhe Skenderaj te femrat,

Pjesëmarrjen në këtë garë ndërkombëtare e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e dy skuadrave nga Skenderaj. Emrat e këtyre skuadrave janë dërguar gjatë ditës së mërkurë në Federatën Evropiane të Volejbollit (CEV), kur ishte edhe afati i fundit për paraqitje.
FVK-ja gjatë javës së shkuar është pranuar në Federatën Botërore (FIVB) dhe atë evropiane (CEV) të Volejbollit. Pranimi i FVK-së, është i përkohshëm deri në kongresin e FIVB-së, që do të mbahet në janar të vitit 2016, e ku pritet të bëhet pranimi i plotë.
“Ne tashmë kemi marrë konfirmimet nga skuadrat kampione të Kosovës në të dy konkurrencat, që do të thotë se Drenica R&Rukolli dhe Skenderaj do ta përfaqësojnë volejbollin kosovar në arenën ndërkombëtare”, ka thënë kryetari i FVK-së, Abedin Ibrahimi.