KFOR-i nuk do t’i bart eshtrat e Isa Boletinit

KFOR-i nuk do t`i përcjelljë eshtrat e Isa Boletinit në fshatin Boletin më 10 qershor siç kanë raportuar disa media dje. Kështu ka njoftuar Shtabi qendror i KFOR-it.

“Në përputhje me mandatin e tij dhe Rezolutën 1244 të OKB-së, KFOR-i do të jetë gati për të ndërhyrë si përgjegjës i tretë, nëse kërkohet nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i dhe gjatë ceremonisë së rivarrimit do të mbajë një qëndrim diskret e të fuqishëm”, thuhet në njoftimin për media.

KFOR-i ka bërë të ditur se bartja e eshtrave nga stadiumi i Mitrovicës për në fshatin Boletin do të eskortohet nga Policia e Kosovës, ndërsa Komandanti i KFOR-it nuk do t’i autorizojë Forcat e Sigurisë së Kosovës për të lëvizur në territorin e komunave veriore.

“Gjenerali Figliuolo beson se është e një rëndësie të madhe që të gjithë njerëzit e përfshirë në këtë ceremoni të mbajnë një sjellje të përgjegjshme dhe të pjekur. Duke vepruar kështu, ata do të ndihmojnë KFOR-in në kryerjen e detyrës e vet, në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë popullin e Kosovës”, përfundon njoftimi./Indeksonline/