KFOR-i garanton sigurinë për rivarrosjen Isa Boletinit në vendlindje

 

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës, mbajtur më 15.05.2015, ka takuar komandantin e Batalionit Rajonal të KFOR-it për Veriun e Kosovës, col.Fischer Hansjorg, i cili ka thënë se KFOR-i asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk e ka kundërshtuar rivarrosjen e heroit Isa Boletini në Boletin dhe nuk ka pas vlerësime se rivarrosja e tij atje do të tensionoj apo destabilizoj situatën e sigurisë.

Madje, shton kryetari Bahtiri, ai dhe përfaqësuesit e organeve tjera të sigurisë, kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të krijojnë kushtet optimale të sigurisë për ceremoninë e rivarrosjes së eshtrave të heroit Isa Boeltini, në Boletin dhe për të ndërmarrë më pastaj masat tjera të nevojshme për mbikëqyrjen e Kompleksit të Kullave të Isa Boletinit, në Boletin.

Me këtë rast, kryetari Bahtiri i bënë ftesë qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që të respektojnë vullnetin e familjes së heroit Isa Boletini dhe të popullit të Kosovës, duke hequr dorë nga marrëveshja për rivarrimin e eshtrave të heroit Isa në Vlorë, thuhet ë komunikatën e komunës së Mitrovicës, përcjellë Veriu.info.

Po ashtu, kryetari Bahtiri kërkon nga të dyja qeveritë që të vazhdojnë me përgatitjet e nevojshme, sipas agjendës së paraparë, në mënyrë që gjithçka të jetë e gatshme për rivarrimin dinjitoz dhe ashtu sikur e meriton heroi mbarëkombëtarë, Isa Boletini, më 10 qershor në Boletin.

Mirëpo, thotë kryetari Bahtiri, nëse qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, nuk duan të angazhohen seriozisht në realizimin e kërkesës së familjarëve të heroit Isa Boletini dhe të qytetarëve të Kosovës e më gjerë, për rivarrimin e eshtrave në Boletin, atëherë institucionet komunale të Mitrovicës, do të marrin vet përsipër realizimin e kësaj kërkese dhe vullnetit të tyre, për të organizuar ceremoninë e rivarrimit dhe vendosjen e eshtrave të kësaj figure të shquar të kombit, aty ku e kanë vendin, në Boletin të Shalës së Bajgorës.

“Që sot i ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe popullit shqiptarë në përgjithësi, që të bëhen gati për një përcjellje madhështore dhe dinjitoze të eshtrave të heroit Isa Boletini, gjatë ceremonisë kryesore që do të organizohet, po më 10 qershor, në stadiumin e qytetit “Adem Jashari”. Ceremonia e rivarrimit të heroit Isa Boletini, duhet të bëhet pas as më të voglin problem, sepse vetëm në këtë mënyrë ne do të kryejmë obligimin tonë njerëzor e kombëtarë ashtu si duhet ndaj këtij personaliteti të shquar të kombit”, thotë kryetari Bahtiri