Këto janë të gjeturat e deritanishme të Komisionit për Demarkacion

Komisioni i ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, i drejtuar nga Shpejtim Bulliqi, gjatë ditës së djeshme ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, me ç’rast ka prezantuar të gjeturat e deritanishme të Komisionit lidhur me çështjen e kufirit, shkruan sot, gazeta Zeri.

Me këtë rast kryetari i këtij komisioni, Shpejtim Bulliqi, ka bërë të ditur se nga të gjeturat ka dalë se Komisioni i kaluar (i drejtuar nga Murat Meha) ka zhvendosur kufirin mes Kosovës e Malit të Zi, duke bërë kështu që Republika e Kosovës të humbë territor. Gjatë këtij diskutimi komisioni është zotuar se shumë shpejt do të dalë me një raport final, të saktë dhe të argumentueshëm.

Nga ana tjetër, përderisa pjesëtarët e dy partive të Qeverisë së kaluar (PDK e LDK) kanë konsideruar se Komisioni nuk ka sjellë fakte të mjaftueshme, ata të partive të tjera (LVV e AAK) i kanë bërë thirrje Komisionit që të punojë në mbledhjen e fakteve dhe të mos e ketë presionin e kohës.

Kryetari i Komisionit të ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, gjatë ditës së djeshme, gjersa ka prezantuar raportin me të gjeturat e deritanishme, ka thënë se Komisioni i kaluar e ka zhvendosur kufirin me Malin e Zi, duke bërë kështu që Kosova të humbë territor.

“Ndërrimi nga kufiri administrativ, të cilin e ka pasur Kosova me Malin e Zi dhe kthimi i tij në kufi kadastral nga ana e ish-Komisionit ka rezultuar në humbjen e territorit dhe në zhvendosjen e vijës kufitare. Dhe si pasojë e saj e kemi gjendjen e krijuar në terren”, është shprehur ai.

Me këtë rast ai tha se ish-Komisioni ka tejkaluar kompetencat e veta, meqë ka qenë i ngarkuar vetëm për punën e demarkimit. “Puna e ish-Komisionit ka kaluar kompetencat e veta, ka qenë i themeluar vetëm për një detyrë: demarkamin dhe shënjimin për mirëmbajtjen e kufirit, por në asnjë formë dhënie të re të vijës kufitare. Puna e tyre ka qenë ta identifikojë ish-kufirin administrativ. Kjo ka shkaktuar humbje të territorit, ngase vija kadastrale është shndërruar në vijë administrative”, ka shtuar ai.

Bulliqi më tej ka thënë se Komisioni është duke punuar në mënyrë serioze, në mënyrë që sa më shpejt të dalë me një raport final.

Isufi: Kemi gjetur dokumentacione hartografike të kërkuara nga qeveria e Malit të Zi

Menjëherë pas kësaj deputetët kanë parashtruar pyetje dhe kanë kërkuar sqarime nga ana e anëtarëve të Komisionit për Demarkacionin. Me këtë rast Armend Zemaj, anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane (LDK), ka thënë se Komisioni aktual nuk ka sjellë ndonjë risi lidhur me ato që ka pretenduar.

Ai më tej ka kërkuar sqarime nga Komisioni lidhur me vizitën e anëtarëve të tij në Slloveni e në Kroaci. Pas kësaj Florim Isufi, anëtar i këtij komisioni, ka thënë se gjatë vizitës në Kroaci e në Slloveni Komisioni ka gjetur të dhëna mjaft të rëndësishme.

“Vizita zyrtare që kemi pasur në Kroaci dhe në Slloveni ka rezultuar pozitive. Kemi gjetur dokumentacione hartografike të kërkuara nga qeveria e Malit të Zi në vitin 1948, pas kushtetutës, që ta përmbyllë territorin e vet. Ai kufi, deshëm apo nuk deshëm ne, përputhet me vijën kufitare që e kemi në hartat topografike deri në vitin 1979. Do të thotë ekziston vetëm një kopje në njërën nga këto shtete dhe na kanë dhënë vetëm një kopje që tregon se ka pasur lëvizje të kufijve”, ka theksuar ai.

Deda: Sa më shpejt të dilni me raport final, s’mund ta presim janarin

Ndërkaq Ilir Deda, anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane, i bëri thirrje Komisionit për Shënimin e Kufirit që të dalë sa më parë me një raport final.

“Ju sa më shpejt të dilni me raportin përfundimtar. Nuk mund ta presim janarin ose shkurtin e vitit të ardhshëm. Por, kjo nuk do të thotë të punohet shkel e shko. A do të mundni orientimisht të na tregoni një periudhë kohore kur ne do të mundim ta marrim raportin tuaj. Nëse zgjatet kjo periudhë do të ishte mirë të shihemi edhe një herë këtu në Komision dhe të raportoni për punën tuaj”, u shpreh Deda.

Nga ana tjetër, gjatë këtij diskutimi pati edhe mospajtime mes deputetëve e anëtarëve të Komisionit. Zenun Pajaziti, anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane (PDK), tha se Komisioni nuk ka ofruar diçka të re pos asaj që ka qenë në vizitë në Kroaci e në Slloveni.

“Kemi pasur një periudhë të gjatë, kemi humbur shumë kohë me këtë çështje, ku të gjithë prej nesh kemi qenë të përfshirë në njërën mënyrë ose në tjetrën, edhe ju z. Bulliqi. Atëherë keni folur më shumë si ekspert e sot kam pritur të keni më shumë argumente për të treguar diçka më konkrete”, deklaroi Pajaziti.

Kurse deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Fatmire Kollçaku, tha se dikush nga ish-Komisioni duhet të japë përgjegjësi për shkeljet e prezantuara nga Komisioni. “Ju sot na prezantuat një sërë shkeljesh, që dikush duhet të japë përgjegjësi. Vetëm nëse ndiqen procedurat, pa e parë rezultatin përfundimtar për Komisionin e kaluar. Ju shumë mirë po tregoni, ka ekzistuar një bazë juridike që nuk është respektuar, nuk ka pasur një marrëveshje ndërkombëtare pas pavarësimit të dy vendeve”, deklaroi ajo.

Zeka: Komisioni, para një presioni të jashtëzakonshëm

Ndërkohë Ahmet Isufi nga AAK-ja tha se puna e Komisionit paraqet përgjegjësi të jashtëzakonshme. “Prandaj puna juaj më së shumti është me përgjegjësi të jashtëzakonshme, sepse ka të bëjë me fatin e territorit, për kohën sa më shpejt, aq më mirë, por mos bini në asnjë presion”, u shpreh ai.

Kurse deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka, vlerësoi se Komisioni aktual është para një presioni të madh nga tre taborët: nga Qeveria aktuale, nga mediet, por edhe nga Parlamenti i Kosovës.