Me këtë popull edhe politikanët më të këqij, ndihen shumë komod

Shkruan: Esat Shala ///

Populli Kosovar, ka veti shumë të mira… por një bandë maskarenjsh, ryshfetxhinjsh, dhe dallaverexhinj, kanë zënë të gjitha pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t’i shkulësh». As më shumë e as më pak «banda» të tilla politikanësh, që kërkojnë të bëjnë ligjin mbi këtë popull të vuajtur për dekada të tëra, nuk po i ndahen.

Kështu qenka e thënë e kështu qenka e shkruar… Kanë kaluar qysh atëherë dekada të tëra dhe gjendja mbetet po ajo. Politikanë mashtrues, hajdutë e ryshfetxhinj që kërkojnë ta nxjerrin në «selamet» këtë popull të vuajtur, i cili me gjithë pasuritë përrallore që i fali natyra, vazhdon të jetë vendi më i varfër në Europë.

«Zgjuarsia e politikanëve që vazhdojnë të bëjnë ligjin me këtë popull, shkon përtej asaj që ata zhvatin me të dy duart pasuritë e vendit dhe djersën e popullit. Ata, jo vetëm kaq, por edhe i bëjnë karshillëk qytetarëve, bëjnë sikur zihen e shahen me njëri tjetrin. Po përse? Mos vallë ata shahen si rrugaçë të rëndomtë për interesat e qytetarëve, për rritjen e mirëqenies, për përmirësimin e jetesës të shtresave në nevojë? Absolutisht jo. Ata bëjnë sikur akuzojnë e shahen me njëri tjetrin për të krijuar mjegullnajën që më pas «ujqit» të bëjnë kërdinë.

Politikanët, akoma edhe sot, mbas 18 vitesh demokraci, nuk e kuptojnë atë, që krizë mbi kriza këtu është kriza e besimit. Politikanët nuk janë të besueshëm në premtimet e tyre. Nuk janë të besueshëm sepse qytetarët e shohin, e prekin dhe e vuajnë vetë këtë realitet të «sheqerosur» nga jashtë e të «kalbur» nga brenda. «Lumi» demokratik i këtyre 18 viteve, ka marrë ç’ka gjetur përpara dhe i ka sjellë në këtë «rezervuar» 18 vjeçar!

Lexo tjetër  Libri “Drenica Djep i UÇK- së, Batalioni l”, i autorit Hamdi V. Thaqi nuk e pasqyron realitetin

Në fund të këtij «rezervuari» ndodhen ata që me të vërtetë i rëndojnë aftësitë, dijet e njohuritë dhe mbi sipërfaqe kanë mbetur ata që nuk u «rëndon» asgjë, që «pesha» e milionave, është fare e papërfillshme që t’i krijojë njëfarë rëndese! Këta janë të paaftët, hileqarët, vjedhësit e mjeshtrat e parave të pista, të krimit e të gjithfarë pisllëqeve, që kërkojnë të mbulohen me kostumet e shtrenjta të deputetit, të zyrtarit të lartë apo gjykatësit.

Askush nuk ka besim se këta do të bëjnë reforma, se do të vendosin ligjin, apo do të ndërtojnë shtetin ligjor. Gjithçka që flitet, nuk është gjë tjetër përveçse një shou mediatik. Thuhet se do të bëhet reformë në drejtësi, e do të «tundet dheu»!. Kush do ta bëjë këtë reformë? Ata që vjedhin me të dy duart e nuk deklarojnë pasurinë e tyre të vjedhura? A mund të bëhet reformë në drejtësi me gjyqtarë të «shtrëmbër»? Thuhet se do të hapen dosjet e do të ndajnë «shapin nga sheqeri». Po kush do t’i hapi dosjet, kur të gjithë u tremben atyre?

Vetëm «bum», «bum», «bum», e asgjë më shumë. Do ta bëjnë këtë reformë ata që një funksionar i lartë, deputet apo ministër, nuk është i vetmi që i shkakton dëme të pallogaritshme shoqërisë, por kanë edhe një duzinë nga mbrapa tyre, si familjarë, të afërm, krushq e kushërinj të punësuar në punë, atje ku rrjedhin milionat!

Kush do të vendoset në punë të zgjedhura, do të vendoset vëllai apo motra e qytetarit të papunë apo do të vendoset gruaja, vëllai e motra e gjyqtarit, ministrit apo deputetit. Shikoni vetëm Kuvendin, i cili është bërë aq qesharak, sa që jo ata që diskutojnë, por edhe ata që i dëgjojnë u vjen turp të dëgjojnë disa rrugaçë profesionistë. Shumë prej këtyre ligjvënësve, janë të lidhur me krimin, me trafiqe të ndryshme e të droguar. Shumë të tjerë, as nuk ndihen e nuk marrin pjesë se për c ‘farë diskutohet, por vetëm qëndrojnë si statuja, e gogësijnë duke pritur të mbarojë seanca.

Lexo tjetër  GËNJESHTARET E PËRSËRITURA NË DRENAS PËR NDËRTIM FABRIKASH

Me të mbaruar seanca, ata bëhen shumë «aktivë» në bizneset e tyre, në punësimin e të afërmve, në aktivitete të ndryshme në interes të fitimit. Këto janë të përjetshme, kurse diskutimet në Kuvend janë llafe pazari që vetëm sa shqetësojnë njerëzit! Krimi nuk luftohet kurrë nga kriminelët, korrupsioni nuk luftohet nga të korruptuarit, drejtësia nuk mund të vendoset nga politikanë që kanë shtrembëruar tërë jetën politike të vendit. Përtej kësaj, gjithçka është tymnajë, gjithçka është falsitet, na pëlqen apo nuk na pëlqen ta themi, në këtë «pisllëk» politik!

Me këtë popull ndihen shumë komodë edhe politikanët më të këqij. Rrugën më të shkurtër ky popull e ka gjetur për t’u larguar nga vendi dhe jo të kërkojë të drejtat e tij. Rritet çmimi i bukës, askush nuk flet. U presin edhe gjënë më elementare të jetës, ujin, askush nuk flet, blejnë ilaçe të skaduara sa «bishti koka», askush nuk flet. Rriten çmimet e karburantit e gjithçka tjetër, askush nuk flet. Vallë, nuk kanë të drejtë që disa politikanë injorantë të tallen me këtë popull?

Mos vallë kemi vetëm militantë partish që protestat t’i bëjnë vetëm kur i bëhet thirrje nga partitë, kurse protestat për ujin, për dritat, për çmimet, për rrugët, për prodhimet që i mbeten stoqe, t’i bëjnë vetëm në emisionet e mëngjesit në kanalet televizive?