Kështu e bllokuan Isa Mustafën serbët në Veri (Foto)

Qeveria e Kosovës provoi ta mohojë, megjithatë Kryeministri Isa Mustafa u desh që të zgjedh rrugë alternative për të shkuar në përurimin e rrugës që lidhë Zvecanin me Leposaviqin. Kjo pasi banorët serbë të veriut të Kosovës kishin bllokuar me një kamion rrugën që shpie deri tek ura e re mbi Bistricë.

Eskorta e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, të premten në mesditë, ishte nisur për në veri të vendit. Ajo arriti në destinacionin e saj, saktësisht tek ura e re e ndërtuar nga KFOR’i, që lidhë dy komunat kosovare me shumicë serbe, Zvecanin dhe Leposaviqin. Por, jo siç ishte paraparë.

Eskorta e Mustafës u desh të kthehej mbrapa kur mbërriti në fshatin Rudare. Banorët e këtij fshati të banuar me serbë kishin bllokuar qarkullimin e rrugës, madje këtë e bënë edhe duke vendosur një kamion mallrash në mes të saj.

Megjithatë, Mustafa dhe eskorta e tij gjeten zgjidhje. Ata përmes rrugës alternative arritën deri tek Bistrica, ku kryeministri bashkë me drejtuesit e KFOR’it përuruan urën e re që lidh këto dy komuna serbe.

Për pjesëmarrjen në këtë ceremoni ka njoftuar edhe vetë Kryeministri i vendit, por anashkaloi pengesën që i doli gjatë rrugës.

“Mora pjesë sot në përurimin e urës së ndërtuar nga NATO, që lidh Zveçanin me Leposaviqin, dy qytetet më veriore të Republikës së Kosovës. Ishte kënaqësi të shoh një urë të ndërtuar me standarde të larta, e cila do t’ua lehtësoj lëvizjen banorëve të kësaj ane. Urime!”, vetëm kaq shkroi Kryeministri Mustafa në facebook.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës provuan ta mohojnë incidentin. Por,pamjet e një video të agjencisë beogradase të lajmeve, Tanjug, dëshmojnë të kundërtën.