Keqpërdoret buxheti i shtetit nga qeveritarët e Listës Serbe

Dy anëtarë të kabinetit qeveritar, zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq dhe ministri Lubomir Mariq, prej dy muajsh kanë bojkotuar punën e Qeverisë. Bojkot nuk u kanë bërë edhe privilegjeve që u ka sjellë pjesëmarrja në ekzekutiv. Ata vazhdojnë të marrin paga, t’i kenë në dispozicion veturat, të hanë dreka e darka me para të shtetit e të bëjnë edhe shpenzime të tjera.
Të dy këta zyrtarë të Listës Serbe, bashkë me nëntë deputetët e këtij subjekti politik që ia konteston shtetësinë Kosovës, i kanë lëshuar institucionet prej kur kryeministri Isa Mustafa ka shkarkuar nga posti ministror Aleksandër Jablanoviqin.
Vendimi qe marrë pas protestave masive e të dhunshme që pati nxitur deklarata e Jablanoviqit, nëpërmjet së cilës i pati quajtur egërsira nënat e të zhdukurve të Gjakovës që patën penguar një pelegrinazh serb. Prej 3 shkurtit kur ka ndodhur shkarkimi, as ministrat dhe as deputetët nuk kanë zhvilluar aktivitet zyrtar.
Pavarësisht nga kjo, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Lubomir Mariq, vetëm gjatë muajit shkurt ka bërë 4.269 kilometra rrugë me dy vetura zyrtare.