Katër komuna përfitojnë 70 milionë euro nga BERZH

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të financojë 70 milionë euro në projekte publike, por edhe private, për të mbështetur turizmin në 4 bashki të Shqipërisë.

Përmes një njoftimi zyrtar, BERZH çeli tenderin për konsulentin, i cili do të bëjë studimin për tregun turistik dhe do të përcaktojë projektet prioritare për të investuar në Bashkitë e Beratit, Korçës, Fierit dhe Shkodrës. Sipas BERZH, 60 milionë euro nga paketa e huasë do të përdoren në projekte të infrastrukturës, si ndërtim rrugësh, kanalizimesh, por edhe ujësjellësa në 4 bashkitë e përzgjedhura.

Pjesa tjetër prej 10 milionë eurosh do të shkojnë si financim i drejtpërdrejtë për bizneset private, që investojnë në fushën e turizmit.  Sipas njoftimit, tenderi për konsulentin do të mbyllet brenda datës 24 të këtij muaji. Më pas, kompania fituese do të nisë punën për të përzgjedhur projektet që do të financohen, si dhe kriteret për bizneset që do të përfitojnë nga financimi.

Fillimisht, qeveria shpalli se projektet e lidhura me turizmin do të ishin pjesë e paketës “një miliard euro” të partneritetit publik-privat. Por, ky vendim duket se është ndryshuar. Programi prej një miliard eurosh do të financojë vetëm akset e mëdha rrugore, si dhe disa shkolla dhe spitale, ndërkohë që infrastruktura lokale e turizmit do të mbështetet përmes kredisë së BERZH-it dhe fondeve të buxhetit.