Kanadaja ndan 2.5 milionë dollarë ndihmë për muslimanët e Arakanit

Kanadaja ka dhuruar ndihmë humanitare në vlerë prej 2.5 milionë dollarësh për muslimanët e Arakanit, të cilët kanë ikur në Bangladesh nga persekutimi në Mianmar, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja kanadeze për Zhvillim Ndërkombëtar, Marie-Claude Bibeau përmes një deklarate me shkrim ka theksuar se mbështetja e ofruar do të ndihmojë në plotësimin e nevojave urgjente të civilëve të cilët kanë ikur nga dhuna dhe janë strehuar në Bangladesh.

Bibeau ka thënë se 70 për qind e nevojtarëve për ndihmë humanitare janë gra dhe fëmijë.

“Synim kryesor është të sigurohet ushqim terapeutik, kujdes dhe këshillim psikosocial për të shpëtuarit nga dhuna në bazë gjinore, ostetrikë urgjente dhe kujdes për foshnjet e sapolindura dhe krijimi i hapësirave për fëmijë. Ndihma do të sigurohet nga partnerë me përvojë në fushën e ndihmave humanitare, ndërsa do të zhvillohet nga Fondi i Popullsisë i Kombeve të Bashkuara (UNFPA), UNICEF dhe Programi Botëror i Ushqimit”, ka theksuar Bibeau.

Ajo ka shprehur shqetësimet për zhvendosjen e mbi 375 mijë njerëzve në Bangladesh, duke bërë thirrje “të merren masa për mbrojtjen e të gjithë civilëve në Mianmar nga dhuna që po vazhdon”.